Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve, një grua me tre fëmijë dërgohet në strehimore

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur katër raste të dhunës në familje.

Sipas policisë një rast ka ndodhur në Obiliq, një në Mitrovicë dhe dy raste të dhunës kanë ndodhur në Vushtrri.

Në Vushtrri sipas policisë bashkëshorti e kishte sulmuar bashkëshorten e tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime. Ndërkaq, gruaja me tre fëmijë sipas policisë dërgohet në strehimore.

“Viktima  pasi i është ofruar tretman mjekësor në emergjencë në Vushtrri, së bashku me tre fëmijët e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Në Komunën e Obiliqit policia ka njoftuar se është arrestuar një person i cili në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.

“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.

Në Vushtrri një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka tentuar ta sulmoi fizikisht. Sipas policisë i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Kurse në Mitrovicë, një grua ka njoftuar policinë se ishte sulmuar fizikisht nga vajza.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.