Katër kërcënimet e klinikave të QKUK-së kundrejt specializantëve

Ndëshkim në provimet specialistike, ndërprerje të shkollimit specialistik, ndalim të hyrjes në sallat e operimeve si dhe sanksione në mësim – nxënie, janë katër kërcënimet kundrejt specializantëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të cilat, këta po pretendojnë se janë po u bëhen nga zyrtarë të klinikave.

Për këto kërcënime dhe mos kënaqësinë e tyre për pagesat e kujdestarive gjatë vikende e festave, ka bërë që me dhjetëra specializantë të rregullt të protestojnë katër ditë më parë para Ambulancës Specialistike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Ka pasur kërcënime se do t’i dëmtojnë në provim specialistik nga disa klinika. Nëse do të vazhdojnë kërcënimet, atëherë ne do t’i bëjmë publike emrat e atyre personave të cilët po i kërcënojnë specializantët”, pati thënë gjatë protestës Arianit Zajmi, përfaqësues i Këshillit të Specializantëve dhe specializant në Klinikën e Neurologjisë në QKUK.

Specializantët janë shprehur se në rast se nuk merren parasysh kërkesat e tyre, do të protestojnë përsëri.

Sipas Ligjit të Punës, punëtorët që kryejnë punë më të gjatë se orari i plotë i punës, si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagesë shtesë.

Madje, edhe Udhëzimi Administrativ për Shëndetësi thotë se specializantët duhet të mbajnë së paku dy kujdestari gjatë muajit, për plotësimin e plan – programit të paraparë specialistik.

Qeveria ndan kosto për paga të specializantëve

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e javës së kaluar, ka diskutuar edhe për specializantët e rregullt, për të cilët janë ndarë 430 mijë euro për mbulim të kostove për muajin korrik 2021.

Në këtë mbledhje ministri i Financave Hekuran Murati, ka thënë se janë pranuar specializantë më shumë se që ka qenë e nevojshme.

“Janë pranuar shumë më shumë specializantë se që ka qenë e buxhetuar në fillim të vitit. Këtë ndryshim e kemi reflektuar në rishikimin e buxhetit, mirëpo meqenëse tek sot është miratuar hyrja në fuqi e buxhetit, mund të marrë pak kohë”, tha Murati.

Specializantët protestojnë, thonë se po kërcënohen e nuk po u paguhen kujdestaritë e fundjavave