Katër heronjtë rivarrosen me nderime të larta shtetërore

 

Afrim Zhitia, Agron Rrahmani, Fahri Fazliu dhe Bahri Fazliu janë rivarrosur në varrezat e dëshmorëve në Velani të Prishtinës, pranë varrit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Ceremonia e rivarrimit u bë me nderime të larta shtetërore, nën përkujdesjen e Qeverisë së Kosovës.

Pranë varreve të katër heronjve janë përkulur familjarë, miq e bashkëluftëtarë të tyre, kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, kryetarë komunash e përfaqësues institucionesh.

Për katër heronjtë sot janë bërë homazhe edhe në Kuvendin e Kosovës dhe është mbajtur një akademi përkujtimore.

Presidenti Hashim Thaçi me këtë rast ka ndarë medaljen “Urdhri i lirisë” për familjet e dëshmorëve Zhitia, Fazliu dhe Rrahmani.

Kujtojmë se kohë më parë Qeveria e Kosovës kishte miratuar vendimin për rivarrimin e dëshmorëve të kombit dhe propozim-vendimi për rivarrimin e heronjve Afrim Zhitia, Fahri dhe Bahri Fazliu, si dhe Agron Rrahmani, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Velani./21Media