Ilustrim

Katër gra viktima të dhunës në familje në 24 orët e fundit

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Kosovë.

Në të gjitha rastet viktimat raportohen të kenë qenë gra.

Njëri prej rasteve njoftohet të ketë ndodhur në Gjilan ku një burrë është arrestuar pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Një tjetër burrë është arrestuar në Ferizaj ngaqë ai pas një zënke verbale që kishte me bashkëshorten e tij, e kishte sulmuar fizikisht atë.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje” – ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Ndërkaq, dje në Prizren rreth orës 15 një grua ka raportuar se bashkëshorti i saj ka shkaktuar dhunë psikike ndaj saj pasi kishin mosmarrëveshje mes vete.

Lidhur me këtë rast, Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Një tjetër burrë është arrestuar dje në fshatin Xërxë të Rahovecit pasi që nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.  Policia ka bërë të ditur se bashkëshortja ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.