Katër gra viktima të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit

Disa raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë orëve të fundit në adresë të policisë, sipas të dhënave, për këto raste ku viktimat gra që u sulmuan nga burrat. Nga rastet pati edhe arrestime.

Një grua nga Drenasi dje rreth orës 22:11 ka raportuar se pas një mosmarrëveshje më një burrë, i dyshuari ka ushtruar dhunë duke i shkaktuar lëndime trupore.

Në raportin e policisë bëhet e ditur se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor dhe më pas është intervistuar. Kurse, i dyshuari, sipas policisë, gjendet në arrati.

Rast tjetër i dhunës në familje është raportuar edhe në Pejë, një burrë është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht viktimën grua.

Sipas policisë, në konsultim me prokurorin pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti ka ndodhur më 29 maj rreth orës 00:57.

Në Malishevë po ashtu është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua të cilës i ka shkaktuar edhe lëndime trupore.

Sipas policisë, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor, derisa në lidhje me rastin është konsultuar edhe prokurori i shtetit me vendim të cilit i dyshuari është dërguar në mbajtje,

Rasti ka ndodhur më 29 maj rreth orës 09:00.

Rasti i dhunës në familje u raportua edhe në qytetin e Vushtrrisë, një grua ka deklaruar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga një burrë.

Sipas policisë, viktima është dërguar për trajtim mjekësor, kurse i dyshuari nuk është hasur në shtëpi dhe të njëjtit i është lënë ftesa të paraqitet në polici.