Ilustrim

Katër burra të arrestuar për dhunë në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar katër burra të dyshuar për dhunë ndaj bashkëshorteve të tyre në 24 orët e fundit në vend.

Rastet e dhunës janë regjistruar në Fushë Kosovë, Suharekë, Gjakovë dhe Rahovec.

Në Fushë Kosovë, në rrugën “Drenica”, Policia ka arrestuar një burrë nën dyshimin që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:35 dhe sipas Policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti shkon në procedurë të rregullt”, ka njoftuar PK.

Një burrë në Suharekë është arrestuar nga Policia dje rreth orës 14:00 pasi dyshohet që në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Për dhunë ndaj bashkëshortes dje është arrestuar edhe një burrë në Gjakovë.

I njëjti dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshortes, shtetase të Australisë.

“Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërsa në Rahovec një burrë është arrestuar pasi dyshohet që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Sipas PK-së, viktima ka pranuar tretman mjekësor.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.