Fadil Kodra, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin Emergjent - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Katër arsyet e shkarkimit të Fadil Kodrës

Fadil Kodra, tashmë ish drejtori i Agjencisë për Menaxhim Emergjent është shkarkuar nga pozita e tij më 14 tetor 2022 nga një vendim i marr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kjo me arsyetimin se ai ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Sveçla më 13 tetor 2022 kishte nxjerr një vendim për suspendimin e Kodrës nën dyshimin se ky i fundit ka kryer vepër penale. Vendimi do hynte në fuqi një ditë më vonë, pas nënshkrimit nga shefi i ekzekutivit, Albin Kurti.

Në vendimin e nxjerr nga ana e Sveçlës, janë dhënë katër arsye se pse Kodra duhet të suspendohet nga pozita e Drejtorit të AME-së.

Në arsyetimin e dhënë në vendimin e MPB-së u tha se gjetjet e raporteve të auditimit kanë konstatuar parregullsi, përkatësisht shkelje që kanë çuar në ngirtjen e dyshimit të bazuar për kryerje të verës penale nga ana e Kodrës.

Tutje, në vendimin e Ministrisë së udhëhequr nga Sveçla u renditën katër pikat se pse u mor vendimi për largimin e Kodrës nga pozita që ai mbante deri para gjashtë ditëve, pika të cilat u thanë se lidhen me dyshimet për kryerje të veprës penale.

Në pikën e parë u tha se është keqpërdorimi i pozitës me rastin e ndarjes së parregullt të shtesave të zjarrfikësve për pagesën e orëve shtesë, ndërrimit të natës dhe festave.

Në pikën e dytë u tha se është keqpërdroimi i pozitës dhe cenimi i të drejtave me rastin e moskryerjes së kontrollit të rregullt mjekësor të zjarrfikësve të punësuar në AME.

Në pikën e tretë u tha se është keqpërdorimi i pozitës, përkatësisht shkeljen e ligjit lidhur me punësimin e zyrtarit me rastin e tejkalimit të kritereve në konkursin publik për zjarrfikës.

Dhe në pikën e katërt u tha se është keqpërdorimi i pozitës përmes përdorimit të mjeteve financiare të destinuara për rekrutimin e operatorëve teknik duke angazhuar stafin tjetër administrative.

Tutje në vendim u tregua se sipas raportit të auditimit nga ZKA, me titull “Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të MPB-së për vitin 2020”, është gjetur se mjetet në vlerë 179 mijë e 424 euro të ndara me buxhet për zjarrfikët për pagesën e orëve shtesë, ndërrimeve të natës dhe festive, ishin shpërndarë me aporvimin e drejtorit të AME-së dhe Zyrtarit Kryesor Financiar (ZKF) në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së, saktësisht 71 zjarrfikës dhe 107 staf tjetër.

Në vendim të MPB-së u tha se si rrjedhojë e kësaj, i gjithë stafi kishte përfituar kompensim në vlerë 960 euro në pagën e muajit mars të vitit 2020.

MPB tha se shuma e kompensimit për stafin që nuk janë zjarrfikës, përfshirë edhe kontributin e punëdhënësit ishte 107 mijë e 856 euro.

Sipas MPB-së, për këtë vlerë nuk është ofruar ndonjë dëshmi që arsyeton shpenzimet e ndodhura për mbajtjen e orëve shtesë, punë në ndërrimin e natës apo punën gjatë festave.

Në vendim të Ministrisë u tha se sipas ZKA, kjo ka ndikuar në devijimin e shpenzimeve nga qëllimi i dedikuar, që u tha se ka ndikuar në shpenzimin jo racional të buxhetit.

Për këto veprime, MPB tha se ekziston dyshimi i bazuar se Kodra gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje në vendim u tha se sipas raportit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të MPB-së është gjetur se nuk është bërë kontrolli i rregullt mjekësor i zjarrfikësve në AME.

“Zjarrfikësve i është cenuar e drejta për sigurinë në punë, mbrojtje të shëndetit dhe në ambientin e përshtatshëm të punës për shkak të mosofrimit të kushteve të nevojshme për mbrojtje në punë”- thuhet tutje në vendim të MPB-së.

Për këto veprime, MPB tha se ekziston dyshimi i bazuar se Kodra gjatë ushtrimit të detyrës ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”- lidhur me veprën “Cenimi i të drejtave nga sigurimi social”.

Tutje MBP tha se në një gjetje tjetër të Audtimit të Brendshëm të MPB-së, theksohet se në konkursin për zjarrfikës, është bërë tejkalimi i kritereve.

MPB tha se sipas raportit, konkursi për zjarrfikës është shpallur më datë 13 dhjetor 2020 dhe kishte përcaktuar në pikën 10 në përmbajtje të tij tri teste: atë me gojë, me shkrim dhe fizik.

Në vendim u tregua se pavarsisht se testet janë përcaktuar si kritere në konkursin publik, testi fizik nuk ishte mbajtur fare dhe ishte konstatuar si e mirëqenë vetëm certifikata e mjekut.

Për këto veprime u tha se ekziston dyshimi i bazuar se Kodra ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje MPB në vendimin e lëshuar më 13 tetor u tha se në një raport tjetër të brendshëm të kësaj Ministrie u gjet se me qëllim të hapjes dhe funksioanlizimit të Qendrës Operative Emergjente 112 në Ferizaj, Qeveria e Kosovës në buxhetin e 2017-ës e kishte ndarë mjete për paga për stafin prej 10 zyrtarëve.

MPB tha se sipas raportit të auditimit, lidhur me numrin e pozitave të cilat ishin vendosur me buxhet, pra 10 zyrtarë për operator teknik sa ishin planifikuar gjithsej, vetëm gjashtë vende për këtë pozitë ishin të lira dhe mund të angazhoheshin përmes procedurave ligjore.

MPB tha se për katër pozita tjera, mjetet ishin marr dhe ishin përdorur në mënyrë jo të rregullt për angazhimin e stafit administrative në AME.

MPB shtoi se konstatimi i Auditimit të Brendshëm është se arsyeja e vetme që Qendra Operative Emergjente 112 në Ferizaj nuk është funksionalizuar është se vullneti i menaxhmentit të AME nuk ka qenë funksionalizimi i kësaj qendre.

Qëllimi u tha se ka qenë që mjetet e ndara në emër të 10 operatorëve teknik për këtë qendër të përdoren për angazhim të stafit tjetër administrative brenda AME për të cilët nuk kishte buxhet të ndarë.

Për këtë Kodra dyshohet se ka kryer prapë veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Lidhur me këto dyshime, avokati i Fadil Kodrës, Faton Fetahu ka thënë se nëse analizohen këto katër arsyet të cekura të këtij vendimi për suspendim, lehtësisht mund të konstatohet se vendimi është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

“Vendimi gabimisht konstaton dhe konkludon se suspendimi vjen për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale”- tha Fetahu në deklaratën e tij me shkrim.

Ai tutje tha se duke ju referuar Raportit të Auditorit të para dy viteve, në të cilin, sipas Fetahut përveç gjetjeve të ndryshme dhe të shumta në MPB, është evidentuar se ndarja e shtesave të përvitshme të parapara me ligj për zjarrfikësit është bërë në mënyrë proporcionale për të gjithë stafin e AME-së.

Tutje Fetahu tha se kjo evidentohet si gjetje prandaj edhe është adresuar në vitin pasues 2021.

“Kjo i ka mjaftuar Sveçlës që ta kualifikojë si keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Kodrën ta konsideroj kryerës të saj” – tha tutje avokati.

Fetahu tha se arsyeja e dytë e suspendimit të ish Drejtorit të AME-së është edhe vlerësimi se nuk janë kryer kontrollat e rregullta mjekësore të zjarrfikësve.

Kjo gjetje, e cila evidentohet në Raportin e Auditorit të Brendshëm të ministrisë, në nëntor 2021, sipas avokatit Fetahu nuk e ka asnjë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm të AME-së, pasi Fetahu tha se e njëjta është përgjegjësi ekskluzive.

“Për këto dy shkelje të pretenduara, e po ashtu edhe dy të tjera tërësisht të pabazuara, dhe më pak të rëndësishme tashmë Kodra është i shkarkuar dhe kundër këtij vendimi, brenda afatit ligjor, do të parashtrojmë ankesë në KPMSHCK” – tha avokati Fetahu.

 

Për Kodrën kjo nuk është hera e parë që shkarkohet nga pozita udhëheqëse që ai mbante. Ai më 15 korrik 2022 ishte larguar nga detyra nga ana e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Mirëpo, Kodra ishte kthyer prapë në punë pas afro dy muajve, më 7 shtator 2022 pas vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Këshilli asokohe kishte obliguar Sveçlën që brenda 15 ditëve ta kthejë prapë Kodrën në punë.

“Obligohet Ministri i MPB-së, që brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të kthej ankuesin Fadil Kodra në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës” – ishte thënë në vendimin e KPMSHCK-së.

13 ditë pas vendimit të KMSHCK-së, më 20 shtator 2022, Sveçla kishte kthyer në punë Kodrën, për të marrë vendimin për largimin e tij pas vetëm një muaji.

Asokohe, në vendimin e publikuar nga avokati i Kodrës, Faton Fetahu, MPB obligohej që Kodrës t’i kompensohej paga nga data 14 korrik 2022 deri në zbatimin e vendimit.

E gjithë kjo kishte ndodhur pas ankesës që Kodra kishte bërë më 22 korrik 2022, ankesë kjo që më pas u aprovua si e bazuar.

Në pjesën tjetër të vendimit të KPMSHCK-së, të siguruar nga KALLXO.com, ishte thënë se Fadil Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se Sveçla ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe të kundërligjshme në rastin e tij.

Sipas këtij vendimi, Sveçla për ndërprerjen e marrëdhënies së punës së Kodrës e ka përdorur një vendim, i cili, sipas ankuesit, prej 7 vitesh nuk është në fuqi.

Madje, Kodra në ankesën e tij ka pretenduar se edhe vendimi tjetër i marrë nga MPB për caktimin e zëvendësuesit të drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, është nxjerrë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

5 ditë pas dorëzimit të ankesës, më 27 korrik 2022, KPMSHCK ka proceduar kërkesë në MPB, me qëllim që të marrë përgjigje për ankesën e Kodrës.

Këto përgjigje janë dorëzuar nga ana e Ministrisë më 5 gusht 2022.

Në këto përgjigje, sipas vendimit që ka siguruar KALLXO.com, është thënë se pretendimet e ankuesit, respektivisht të Fadil Kodrës, nuk qëndrojnë.

“Sipas organit të punësimit, gjegjësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ankuesit nuk i është cenuar ndonjë e drejtë nga marrëdhënia e punës me vendimet e konstatuar si në ankesë” – është thënë në vendim.

Pas përgjigjeve që KPMSHCK-ja mori nga ana e MPB-së, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave, për vërtetimin e plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike si dhe vendosjes në mënyrë meritore ka administruar një mori provash.

Nga analizimi i këtyre provave, ky Kolegj ankesën e Fadil Kodrës e ka cilësuar si të bazuar.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur e cila pretendon se vendimi i Këshillit nuk është i ligjshëm, mund të inicionte konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë brenda një afati prej 30 ditësh.