Kastriot Berisha - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Kastriot Berisha: Shumë lëndë të krimeve seksuale janë parashkruar

Kastriot Berisha nga zyra ligjore e BIRN-it ka thënë se janë befasuar kur kanë parë numrin e lëndëve të krimeve seksuale që janë parashkruar.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” shtoi se parashkrim ka pasur edhe në vepra penale më të rënda si ajo e dhunimit.

“Kur kemi nisur të analizojmë të dhënat statistikore për gjykimet e krimeve seksuale jemi befasuar me numrin e madh të rasteve që janë parashkruar, është e pabesueshme qysh brenda 4 viteve parashkruhen 197 raste të krimeve seksuale, veçanërisht kur ka pasur parashkrim edhe në vepra më të rënda, siç është vepra penale e dhunimit, dënimi për të cilën parashihet deri në 10 vite burg. Kjo do duhej të trajtohej me seriozitet më të madh nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe të identifikohen këto raste për të ditur se ku kanë çaluar, pse kanë qëndruar në sirtar të gjyqtarëve dhe nuk janë gjykuar në kohën e caktuar”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, gjetje e rëndë është edhe numri i dënimeve me kusht dhe gjobë për raste të krimeve seksuale.

“E dhënë edhe më e rëndë është prania numrit të madh të dënimeve me kusht dhe me gjobë. Është interesante se si gjyqtarët në një rast të dhunimit arrijnë me shqiptu dënim me kusht. Dënimi me kusht i bie që  edhe pse njëherë e ke dhunuar dikë, ne po të tolerojmë, por në burg shkon nëse e dhunon edhe dikë tjetër”, shtoi tutje Berisha.

“Numri i madh i dënimeve me gjobë, sidomos te dhunimi i viktimave të mitura është shumë interesant. Ku e kanë marrë gjyqtarët atë të drejtë të cilën nuk e parasheh Kodi penal për gjobë në raste të tilla”, shtoi ai.

Ngecjet e gjyqësorit në trajtimin e krimeve seksuale