Kastriot Berisha nga KALLXO.com zgjidhet "Gazetari i vitit 2021"
Gazetari i KALLXO.com, Kastriot Berisha, është zgjedhur gazetari i vitit 2021 nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
AGK ka shpërblyer Berishën për punën e tij në hulumtimet më të mira në sektorin e drejtësisë të cilat patën reagim të madh shoqëror dhe si rezultat patën nisjen e hetimeve penale, procedurave disiplinore dhe suspendimin e një gjyqtare, vendim ky që u konfirmua edhe nga Gjykata Supreme.
“Shpresoj që ky çmim të jetë mesazh i qartë për të gjithë zyrtarët publik, për prokurorët dhe gjyqtarët se kanë gazetarë, juristë, organizata, që dijnë të analizojnë punën e tyre, dijnë t’iu qëndrojnë mbi kokë dhe të publikojnë veprimet e tyre që janë të kundërligjshme”, ka theksuar Berisha.
Shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, i cili ndau çmimin e gazetarit të vitit, e konsideroi hulumtimin e Berishës një vepër të madhe hulumtuese.
“Ky është çmimi më prestigjioz që do të jepet këtë pasdite dhe është një vepër gazetareske e madhe hulumtuese që ka një qasje profesionale për një periudhë të caktuar kohore, prodhon rezultate dhe pranohet mirë nga publiku”, theksoi Davenport.
I pari, hulumtimi për Prokurorinë e Gjilanit zbuloi skemën e angazhimit të eksperteve mjekësor në cilësinë e eksperteve mjeko-ligjor në kundërshtim me ligjin. Hulumtimi tregon se si qindra lëndë të gjykuara në Gjilan mund të hedhen poshtë për shkak se prokuroria e Gjilanit i ka angazhuar ekspertët në kundërshtim me ligjin.
Hulumtimi bëri që për herë të parë në Kosovë një Prokurori të nisë hetime kundër një prokurorie tjetër.
Në hulumtim përkundër sfidave dhe heshtjes së prokurorisë janë përfshirë katër doktor të cilët ishin angazhuar nga prokuroria si ekspert mjekoligjor si dhe përfaqësues së odës së mjekeve dhe zyrtar të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Artikulli është ndërtuar mbi një analizë ligjore e cila tregon për rrugën që sipas Ligjit do duhej ta ndiqte prokuroria e Gjilanit.
Hulumtimi i dytë është ai i analizimit të një ndëshkimi skandaloz të Gjykatës së Pejës për dhunimin e 15 vjeçares. Artikulli paraqet një analizë të thellë të aktgjykimit që tregon shkeljet e Gjykatës dhe arsyet e nevojës për hetim ndaj protagonisteve të rastit.
Edhe përkundër sfidave në sigurimin e shkresave të këtij rasti, përmes shfrytëzimit të burimeve të shumta në sektorin e drejtësisë është arritur që të përgatitet analiza në fjalë e cila tregon se si:
Hulumtimi ngjalli reagim të madh publik, protesta, debate televizive, procedura disiplinore dhe në fund suspendim të gjyqtares së rastit i cili u vërtetua përfundimisht edhe nga Gjykata Supreme.
Hulumtimi tjetër por jo më pak i rëndësishëm tregon për një vendim të kundërligjshëm të një prokurori që merr rolin e gjyqtarit dhe vendos se kush duhet të banoj në një objekt. Artikulli ndër të tjera shfaqë pasigurinë juridike të qytetarëve në respektimin e të drejtave elementare siç është e drejta e pronës. Veprimi i këtij prokurori tashmë është duke u trajtuar nga prokuroria e shtetit.
Hulumtim tjetër nga Berisha është ai i mos zbatimit të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës penale nga sistemi i drejtësisë në drejtim të trajtimit të rasteve të personave të varur nga substancat narkotike.
Hulumtimi tregon se aktgjykimet dënuese ndaj këtyre personave janë jo efektive dhe nuk e arrijnë qëllimin e dënimit për shkak se në të gjitha rastet këta persona figurojnë se janë recidivist të veprave penale. Hulumtimi shfaqë mungesën e trajtimit institucional të personave të varur nga drogat dhe merr si shembull rastin e një qytetari në Pejë i cili me mbi katër aktgjykime dënuese vazhdon të arrestohet për vepra të njëjta penale.