Kastrati premton miliona euro investime në infrastrukturë

Kandidati nga radhët e Partisë Socialdemokrate për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati  në Debat Pernime ka premtuar investime në infrastrukturë, nëse vazhdon të qeverisë pas balotazhit të 14 nëntorit .

Kastrati shtoi se edhe në zonën e Malësisë nuk do të ketë fshat që nuk do të ketë rrugën e asfaltuar.

“Unë po pres gjatë vitit të tretë të mandatit të jenë mbi 7 milionë euro investime, duke i përfshirë edhe grantet dhe përfitimet tjera. Nuk kanë me mbet në komunën e Kamenicës, nevoja elementare qysh është rruga, ndriçimi publik, trotuari, pa u realizuar po flas në zonën e rrafshit. Në zonën e Malësisë nuk do të ketë fshat që nuk do të ketë rrugën e asfaltuar me të gjitha këto kushtet e tjera”, tha ai. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Kamenicës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Kamenicë: Qëndron Kastrati nga Partia Socialdemokrate dhe Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i PSD-së për kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati në raunadin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 408 vota, apo 32,52 për qind. Kurse kandidati i LVV-së Kadri Rahimaj ka siguruar 5 mijë e 156 vota, apo 31,01 për qind. 

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.