Foto: Qëndron Kastrati/Facebook

Kastrati pas vendimit të Kushtetueses: Kërkojmë jo më pak se dorëheqjen e Arbërie Nagavcit

Ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me  organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore.

Kastrati përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Nagavci e ka shkelur kushtetutën e vendit duke shtuar se nuk mund t’ia hedhë kësaj punë kaq thjesht.

“Vendimi që u vërtetua kundër-kushtetues ka prodhuar pasoja. Ai ka ndërsyer njerëz kundër reformës. Ministrja Nagavci nuk mund t’ia hedhë kësaj pune kaq thjesht. Ajo ka penguar një reformë për arsye te elektorale, duke shkelur kushtetutën. Tash duhet përgjegjësi. Jo me pak se dorëheqje”, ka shkruar ai.

Gjykata Kushtetuese e ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

Në vendimin e Kushtetueses thuhet se MASHTI-i përmes vendimit ‘ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore’.

MASHTI humb rastin në Kushtetuese për vendimet e qeverisjes së Qëndron Kastratit në Kamenicë