Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kastrati pas vendimit të Apelit: Do të vazhdojmë me zbatimin e reformës në arsim

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për pezullimin e fazës së tretë të reformës në arsim.

I pari i Komunës së Kamenicës ka thënë se qëllimi i vendimit është i mirë.

“Ai që rri drejt, nuk ka frikë se i del hija e shtrembër. Dhe kështu, qëllimi ynë i drejtë për përmirësimin e kushteve të nxënësve do të marrë përgjigjen e drejtë sa herë të sfidohet. Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e parashtruar nga Komuna e Kamenicës ndaj Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e Vendimit për riorganizimin e institucioneve arsimore. Vendimi i gjykatës me të cilin zbatimi i Vendimit të Kryetarit është pezulluar, është prishur dhe lënda iu ka kthyer sërish të njëjtës gjykatë për rivendosje”, ka shkruar Kastrati.

Kastrati ka theksuar që pas vendimit të Apelit, Komuna e udhëhequr nga ai do të vazhdojë me zbatimin e ‘reformës’.

“Prandaj, si pasojë e shkeljeve esenciale, qëndrimit të gabuar juridik dhe mosarsyetimit të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, nuk kemi pengesë të kthehemi në atë që është e duhura: zbatimi i vendimit të drejtë, të ligjshëm e të dobishëm për reformën në arsim”, ka theksuar ai.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se Gjykata e Apelit ka gjetur se Gjykata e Prishtinës në aktvendimin e saj për aprovimin e kërkesës së prindërve nga Kamenica, nuk ka dhënë asnjë arsye lidhur me këtë vendim.

Sipas Gjykatës së shkallës së dytë, aktvendimi i Gjykatës së shkallës së parë është i mangët dhe nuk posedon vlerësim të fakteve vendimtare, siç është mundësia e shkaktimit të dëmit të pariparueshëm.

Më 9 shtator, Komuna e Kamenicës kishte marrë vendim që të vazhdonte me fazën e 3-të të riorganizimit të shkollave.

Ky vendim përfshinë shkollat në fshatrat: Karaçevë e Epërme, e Poshtme, Topanicë, Petroc, Hogosht, Kopërnicë, Liskovë, Dazhnicë, dhe paralelet e ndara në Velegllavë, Poliçkë, Shipashnicë të Epërme, të Poshtmë, Lajçiç, Tërstenë, Sedllar, Muçiverc, Kranidell, Dajkoc.

Mirëpo as ky vendim, sikurse dy vendimet e para nuk u përkrahën nga prindërit e nxënësve.

Të pakënaqur me vendimin e Komunës së Kamenicës, 25 prindër të kësaj komune, të prekur nga ky vendim, çështjen e kanë dërguar në Gjykatë.

Me anë të padisë së ushtruar, 25 prindërit e përfaqësuar nga zyra ligjore ABOliver & Associates, me përfaqësuesit ligjor Alexander Borg Oliver dhe Besim Osmani, po e kontestojnë vendimin e kësaj komune, me ç’rast po kërkojnë anulimin e këtij vendimi, si dhe shtyrjen e ekzekutimit të të njëjtit deri në vendosjen meritore lidhur me këtë çështje.

Apeli e kthen në rivendosje vendimin për riorganizimin e shkollave në Kamenicë