Kastrati - Nagavcit: Ndale manipulimin, kjo situatë është përdorur politikisht nga Vetëvendosje

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati i ka reaguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci pas fjalëve që ajo shkruajti në një postim në Facebook në lidhje me incidentin që ka ndodhur sot gjatë ditës në fshatin Shipashnicë e Ulët në Kamenicë.

“Znj. Nagavci ndale manipulimin”, e ka filluar postimin e tij të gjatë kryetari Kastrati drejtuar ministres.

Ai ka kërkuar që Nagavci të “ndërprejë nxitjen e banorëve”

“Nëse e zotëroni detyrën tuaj dhe po i përfillni siç pretendoni obligimet kushtetuese, ju ftoj t’i realizoni ato me mjete ligjore, jo t’i përforconi metodat e fisnore arkaike të funksionimit të shoqërisë të stilit “askush s’guxon të ju prekë””, ka shkruar më tej Kastrati.

Kastrati madje ka thënë se kjo situatë është situatë e përdorur politikisht.

“Kjo situatë është kryekëput situatë politike e përdorur në tri palë zgjedhje, ku ju dhe veglat e Vetëvendosjes, nxitës të linçimeve në komunitet, keni përdorur situatën për të arritur qëllimet politike”, është shprehur Kastrati.

Banorë të fshatit Shipashnicë kanë protestuar sot në shkollën e këtij fshati duke kundërshtuar reformën në arsim në Kamenicë.

Ata kanë penguar sot zyrtarët komunal të futen në shkollë për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve për parashkollorë, derisa sipas raportimeve situata ka qenë mjaft e tensionuar.

Për të qetësuar këtë situatë, Policia e Kosovës kishte përdor edhe sprejë në mënyrë që të ndalë protestën e rreth 50 personave.

Pas incidentit ka reaguar edhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci.

Nagavci ka thënë se Inspektorati Policor është duke e hetuar përdorimin e sprejit nga Policia e Kosovës, për shkak se të pranishëm ka pasur edhe fëmijë.

Ministrja Nagavci e ka ftuar Komunën e Kamenicës që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla.

“Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve”, ka shkruar Nagavci.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Qëndron Kastratit:

Znj. Nagavci ndale manipulimin!

Sot kur Komuna e Kamenicës po hapë një çerdhe shumë të nevojshme në një fshat të varfër për fëmijët 96% e të cilëve rrinë në shtëpi, Ministrja e Arsimit e cila zotim kryesor ka pasur hapjen e çerdheve, po e pengon atë.

Znj. ministre ndërprerje nxitjen e banorëve sepse me metodat e jashtëligjshme, nga kulla e të paprekshmes, porsi të ishte ministre e kohës së Ali Bungut po flet për mbyllje shkollash kur në fakt po hapet një çerdhe. Aq e informuar jeni. Aq kompetente jeni.

Nëse e zotëroni detyrën tuaj dhe po i përfillni siç pretendoni obligimet kushtetuese, ju ftoj t’i realizoni ato me mjete ligjore, jo t’i përforconi metodat e fisnore arkaike të funksionimit të shoqërisë të stilit “askush s’guxon të ju prekë”.

Kjo situatë është kryekëput situatë politike e përdorur në tri palë zgjedhje, ku ju dhe veglat e Vetëvendosjes, nxitës të linçimeve në komunitet, keni përdorur situatën për të arritur qëllimet politike. U keni premtuar banorëve që kjo reformë nuk do të realizohet, do të rrëzohet sapo të vini ju në pushtet. Dhe ku është kompetenca juaj për të ndalë reformën? Përse vazhdoni ta luani dashamirësen kur e keni obligimin të deklaroheni për demarkimin e kompetencave? Përse nuk vetëdijesoheni që kjo lojë juaja po dëmton fëmijët dhe prindërit e tyre të cilëve ua keni krijuar shpresat se ju mund t’i rregulloni problemet si me magji?

Ju shumë mirë e dini që për të kontribuar në trazimin e situatës nuk keni nevojë t’i merrni për dore banorët dhe t’i dërgoni në përballje me institucionet lokale, por mjafton të shkruani këso statuse dykuptimshme ku në nëntekst ftohet për rezistencë.

Tash e 20 vjet shkollimi u është dhënë fëmijëve. Edhe në Poliçkë e Sedllar. Por çfarë shkollimi është ai? Kjo është ajo që ju përfaqësoni! Kërkesën për të mirëmbajtur objekte ku fëmijët i shërbejnë sentimentit që një objekt po na sillka zhvillim, ndërkohë që s’ka përmbajtje. Ndërkohë që rezultatet e PISA-s e tregojnë të kundërtën. Ndërkohë që radhët për të marrë vizën për në Gjermani janë pasqyrë e gjendjes sonë.

Një qeveri që është dorëzuar para Veriut të Mitrovicës duke ua paguar rrymën kripto-kriminelëve, sot e ka gjetë në një komunitet të vogël ta zhvillojë betejën e saj politike. Në këtë komunitet ku po ndodhë një reformë e mirëfilltë para të cilës ju vet jeni dorëzuar. Fatmirësisht jo të gjithë politikanët e shohin politikën si instrument për t’u fuqizuar për vete, por për të ndërmarrë veprime për të mirën e përbashkët dhe nuk zmbrapsem nga sfida e parë që ua cenon zgjedhshmërinë.

Nëse e keni përnjëmend brengën, ju ftoj t’i ballafaqojmë arsyet, të dhënat, bindjet dhe bazën ligjore në një debat publik, e jo të fshiheni pas statuseve ku i shprehni dy-tri hamendësime dhe nxisni trazime në publik.