Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kastrati i AAK-së: Nuk e di që janë dhënë ndonjëherë subvencione në baza partiake

Bajram Kastrati nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, i cili është edhe zëvendësministër në detyrë në Ministrinë e Bujqësisë, në #DebatPernime ka thënë se subvencionet dhe grantet nga kjo ministri nuk janë dhënë në baza partiake.

Sipas tij, tani aplikimi online i cili bëhet për grante dhe subvencione e pamundëson që ato të keqpërdoren.

“Në baza partiake, unë nga pozita e zv/ministrit, nuk e di që naj subvencion është ndarë në baza partiake. Sa i përket granteve, aplikohet online, vlerësime jo reale sepse aplikimi bëhet online. Unë kam propozuar, që përveç vlerësimit që bëhet online të kemi edhe komisione të ndryshme të vlerësimit”, ka deklaruar Kastrati në Debat Pernime.

“Sa i përket naftës, duhet të shihet – të hiqet akciza për bujqit”, ka thënë ai.

AAK, nëse vjen në pushtet, Kastrati ka premtuar se do të kujdeset që nafta për bujqit të mos keqpërdoret.

“Duke krijuar standarde sipas rendimentit që prodhojnë bujqit, ne duhet ta aplikojmë një program i cili bazohet në prodhimin e bujqve”, ka deklaruar ai.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK, dhe Hajrullah Ceku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.