Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kastrati i AAK-së: Dëmet në bujqësi do të kompensohen deri në 80 për qind

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka premtuar se nëse do të udhëheqin me Ministrinë e Bujqësisë, të gjitha dëmet natyrore që do u bëhen bujqve do të kompensohen me një shumë deri në 80 për qind.

Sipas Bajram Kastratit, aktualisht 25 për qind e kompensimit për bujqve nuk është e mjaftueshme.

“Po, është e vërtetë që bujqit janë simuluar padrejtësisht, ta quaj kështu, deri në 25 për qind të dëmeve, kur kemi pasur kultura deri 100 për qind të dëmtuara. Ne mendojmë që në të ardhmen duhet që, dëmet nga vërshimet të simulohen ose të paguhen së paku 80 për qind”, ka deklaruar ish-zëvendësministri i AAK-së në ministrinë e Bujqësisë, Bajram Kastrati.

Ai ka thënë se nuk mund të subencionhen 100 për qind dëmet në kultura bujqësore, pasi deri më tani u ndihmuan bujqit vetëm me 25 për qind. Sipas ish-zv. Ministrit, buxheti duhet të parashikohet për këto investime.

“Në bazë të buxhetit që parashihet, nuk mund të jetë më shumë. Nuk mund të thuhet 100 për qind, përderisa kemi kultura të tjera dhe subvencionimin e saj e asaj e kemi bë paraprakisht, por ne themi që 25 për qind është pak”, ka thënë ai.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Besnik Krasniqi dhe Bajram Kastrati nga AAK, Besian Mustafa nga LDK, dhe Hajrullah Ceku nga LVV, të cilët do të flasin për ‘Energji, Bujqësi dhe Ambient’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.