Foto: Elbert Krasniqi, Facebook

Krasniqi promovon punën e IRDK-së në Gjakovë: Ne nuk bëmë pazare me barazi

Kryetari i Iniciativës së Re Demokratike e Kosovës, Elbert Krasniqi po vazhdon fushatën elektorale për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Krasniqi ka promovuar pastrimin e një deponie të mbeturinave në një lagje të Gjakovës.

Ai ka thënë se IRDK nuk bën pazare me barazi dhe nuk bëjnë kompromis me dinjitet.

“Ali Ibra nuk është më deponi e mbeturinave. Rrugë e re aty, ndriçim publik dhe qendër mësimore. Ne nuk bëmë pazare me barazi dhe nuk bëjmë kompromis me dinjitet.” – ka thënë ai.

Krasniqi ka njoftuar tutje se ka zhvilluar takime me qytetarë në fshatin Rudicë dhe Zallq.

Ai ka thënë se bashkëbiseduan për punën e IRDK-së në Qeverinë aktuale dhe planet për projektet në Qeverinë Kurti 3.

“Në odën e Gani Isenaj në Rudicë e në odën e Rifat Stollaj në Zallq bashkëbiseduam për punën e IRDK-së në Qeveri në mandatin Kurti 2 dhe shpalosëm planet e projektet për Kurti 3. Këto familje janë motivi ynë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe përgjegjësi.” – ka thënë ai.

Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.

Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor; gjithashtu, edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet e tjera në fuqi.

Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.