Alexander Kasanof, Foto: Zyra e Kryeministrit
Kasanof bën thirrje për partneritet më efektiv me Kosovën
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.
Kasanof, zëvendës i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, i bëri komentet për një grup gazetarsh në Prishtinë, në fund të vizitës së tij dyditore, gjatë së cilës takoi udhëheqësit më të lartë të shtetit, ata të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
“Në takimet e mia me presidenten dhe kryeministrin kam përsëritur dëshirën tonë për një partneritet më efektiv”, tha Kasanof.
“Gjithashtu, jam shprehur i kënaqur me rifillimin e qarkullimit të mallrave [nga Serbia në Kosovë] dhe që Kosova ka arritur të marrë vendin e saj në CEFTA dhe në Procesin e Berlinit”, shtoi zyrtari i lartë amerikan.
Ai theksoi, po ashtu, se Shtetet e Bashkuara “mbeten mbështetëse të fuqishme të popullit të Kosovës dhe të vendit demokratik, sovran dhe multietnik”.
“Ne vazhdojmë të mbështesim edhe integrimin euroatlantik të Kosovës, si dhe integrimin në strukturat evropiane, sidomos në kohën kur shohim aq ndryshime në Evropë. Mendojmë se ky vazhdon të jetë vendi i duhur për Kosovën. Kjo është diçka që ne duam ta avancojmë dhe duam të punojmë me Kosovën”, tha Kasanof.
Sipas tij, SHBA-ja pret që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha angazhimet që kanë marrë përsipër në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, si dhe me marrëveshjet e arritura në kuadër të tij.
Kjo, siç tha ai, përfshin edhe dërgimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese të vendit.
Kasanof tha, gjithashtu, se është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të angazhohet me pjesëtarët e komuniteteve pakicë.
I pyetur nëse zgjedhjet në SHBA mund të ndikojnë në çfarëdo mënyre në qasjen e SHBA-së ndaj Ballkanit Perëndimor në përgjithësi ose në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Kasanof tha:
“Politika e jashtme e SHBA-së bazohet në interesat tona kombëtare dhe nuk ka gjasa që interesat tona kombëtare të ndryshojnë në një shkallë të tillë që do ta ndikonte llogaritjen apo politikën në mënyrë dramatike, kur bëhet fjalë për Kosovën”.
Kasanof qëndroi në Prishtinë pas vizitave që bëri këtë javë në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Ky ishte turneu i tij i parë në rajon prej se mori detyrën e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor në korrik të këtij viti./REL