Karriera 35 ditore e Shkëlzen Gashit si këshilltar i Albin Kurtit

35 ditë ka zgjatur përvoja politike e Shkëlzen Gashit si këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Me 20 mars Shkëlzen Gashi ishte emëruar këshilltar politik i Kurtit, ndërsa njoftimin për emërimin e Gashit e kishte dhënë Zyra e Kryeministrit, dhe në njoftim kishin paraqitur biografinë e Gashit.

Në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit Kurti thuhej se “Gashi ka botuar disa libra në Kosovë, në mesin e të cilëve edhe “Adem Demaçi – Biografi e paautorizuar””.

Në njoftim, poashtu thuhej se Shkëlzen Gashi ka qenë edhe themelues i organizatës joqeveritare “Admovere”, përderisa vet Gashi kishte bërë të ditur për KALLXO.com “se më nuk është pjesë e saj”.

Pas presionit të madh publik, lidhur me deklarimet e tij në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë vet kryeministri në detyrë Albin Kurti që ka njoftuar se pas takimit që ka pasur me Gashin e ka liruar nga detyra.

Deklarimet e Shkëlzen Gashit lidhur me UÇK-në nxitën shumë reagime nga të gjitha anët, përfshirë edhe shumë aktivistë dhe ish-aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekti ku ishte anëtar Shkëlzen Gashi.

Gashi dy ditë më parë ishte bërë protagonist kur kishte pranuar një ftesë nga Policia e Kosovës për t`u intervistuar pas një postimi në Facebook.

Menjëherë të njëjtën ditë Prokuroria e Prishtinës kishte njoftuar se e ka pranuar një raport njoftues nga Polica në lidhje me një postim në Facebook të këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashi, por që nuk ka gjetur elemente të veprës penale, dhe me autorizim të prokurorit kompetent rasti ishte mbyllur.

Sot në njoftimin për shkarkimin e Gashit, Kurti ka thënë se deklaratat e djeshme kishin pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e Qeverisë në detyrë, andaj Kurti ka konsideruar “Që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”.