Kardiologut Agron Qerimi, iu ndalua ngritja në detyrë për pesë vite pasi foli për media

Kardiologu invaziv, Agron Qerimi, ka reaguar pas masës disiplinore të Komisionit Diciplinor të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, masë kjo e cila e dënon Qerimin për mos ngritje në detyrë për pesë vite me radhë.

Masa diciplinore ndaj Qerimit, ish drejtorit të ShSKUK-së, Basri Sejdiut, dhe kardiologës, Luljeta durmishi – Maqedonci, erdhi pasi të njejtët disa muaj më parë kanë qenë të ftuar në emisionin “Nën Vëzhgim” në RTK, për të cilën Qerimi thotë se kanë folur për parregullsitë në Klinikën e Kardiologjisë Invazive në QKUK.

Sipas kardiologut, një masë disiplinore e tillë e ndalon fjalën e lirë.

“Unë jam i thirrur të kujdesem për pacientin, ky është Betimi, të cilit, unë i përmbahem pavarësisht pasojave. Por duket qartazi se me anë të këtij veprimi, dikush dëshiron të më ndaloj të drejtën më elementare, atë të fjalës së lirë! Fjala e lirë, të nderuar më ka kushtuar me pamundësi ngritjeje në detyrë për 5 vitet e ardhshme!”, ka shkruar ish drejtori i Koronografisë në facebook.

“Duke qenë se brenga ime e vetme ka qenë, është dhe do të mbetet shëndeti i pacientit, me këtë rast kam shprehur mendimin dhe shqetësimin tim për parregullsitë e krijuara. Por pas kësaj është ngritur një Komision Disciplinor nga menaxhmenti i QKUK-së, duke më gjobitur mua dhe dy kolegë të tjerë për diskreditimin e imazhit të QKUK-së dhe humbjen e besimit te qytetarët”, ka sqaruar tutje ai.

KALLXO.com dje ka raportuar edhe për vendimin e masës diciplinore për kardiologën, Luljeta Durmishi – Maqedonci. Në vendim thuhet se Komisioni ka shikuar të gjitha dëshmitë e prezantuara nga raporti mbi shkeljen disiplinore të datës 6 gusht 2021 të ngritur nga U.D. i Klinikës së Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, Rifat Brahimaj, dhe mbi bazën e tyre, ka konsideruar se është argumentuar shkelja e rregullave për ruajtjen e informacionit.

Foli për media, dënohet mjekja me 40 për qind të pagës