Karantinë e politikë: Protesta e artistit me inicialet e partive

Ndryshe nga protestat e tjera që janë bërë kohëve të fundit të cilat ngjasonin me atë të viteve të ’90 duke krijuar zhurmë me mjete shtëpie, në shenjë pakënaqësie për rrëzimin e Qeverisë, artisti “Unë jam Unë”, ka zgjedhur mënyrën paqësore për të krijuar ‘zhurmë’.

Nëse banorët e lagjës së tij në Prishtinë do të dilnin dje në ballkon do të mund të shihnin një artist me një pankartë të varur në ballkonin e tij me mbishkrimin “QUAaakRANismaThacINELdkIFE” apo ‘Jetë karantinë”, por jo vetëm.

‘I am I’ apo ‘Unë jam Unë’, është emri artistik i tij, ndërsa ‘The Art of Protest’ apo ‘Protestë përmes Artit’ është emri i performancës së tij.

Ai përmes kësaj proteste ka shprehur paknaqësinë dhe revoltën në një formë ndryshe, ku mundësia për të protestuar jashtë ballokonit të tij nuk ka qenë e mundur për shkak të masave kufizuese të lëvizjes.

Në fotografitë e performancës të publikuara në rrejtin social Instagram, mund të vërehen detaje të vogla me mesazhe të mëdha.

Në pankartë fare lehtë mund të vërehen edhe inicialet e disa partive në vend si dhe mbiemri i Presidentit Thaçi, arsyeja pse ‘Unë jam Unë’ ka vendosur të shkruajë këto iniciale është se këto parti së bashku më Presidentin, sipas tij po pretendojnë të krijojnë Qeveri të re e jo të mbajnë zgjedhje pas pandemisë.

“Titulli i performancës protestuese është ndërlidhje e fjalëve “QUARANTINE LIFE” me inicialet e partive që pretendojnë të formojnë qeverinë në këto kohë me katapult nga Presidenti”, tregoi artisti për KALLXO.com.

Ai në dorën e djathtë mban Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ndërsa në të majtën librin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kjo po cilësohet si shkelje e Kushtetutës, duke refuzuar që pas pandemisë vendi të shkojë në zgjedhje” rrëfeu tutje ai.

“Në një farë mënyre duke imponuar formimin e qeverisë, i hap rrugë vazhdimit të dialogut si kërkesë nga Richard Grenell, si dhe kontribon në planet më Presidentin e Serbisë për ndarje territoriale”, u shpreh ai.

Ndërsa, arsyeja pse ka mbajtur në dorën tjetër librin e Presidentit Hashim Thaçi, artisti nga Prishtina thotë se kjo simbolikë tregon që bëhet fjalë për të, si person kyç në shkëmbimin territorial.

“Është pjesë e simbolikës që ilustron Thaçi, që në subkoshiencë të vërehet që bëhet fjalë për të si person kyç në shkëmbim territorial”, potencoi “I am I”.

Tashmë secili qytetar është i detyruar në një mënyrë apo tjetër të mbajë maskë në fytyrë si masë mbrojtjeje nga COVID- 19, por ndryshe nga të tjerët ‘Unë jam Unë’, një maskë të zezë e ka vendosur në sy.

Në maskë ka vendosur mbishkrimin “Make Kurti Great Again”, ku ai thotë se ka dashur të ironizojë nga slogani i Trump “Make America Great Again”

“Në mënyrë indirekte ka ndikuar edhe administrata e Trump me kërkesat e tyre për heqjen e tarifës dhe vazhdimin e dialogut, si shkaktar indirekt për rrëzimin e Qeverisë Kurti. Për shkak të këtij ndikimi të Grenell e kam bërë ironinë me “Make Kurti Great Again” prej sloganit të Trump “Make America Great Again”, tregon më detajisht artisti.

Në performancën e tij, artisti nuk ka harruar të rikujtojë edhe Mitrovicën e Veriut, ku pjesën veriore të saj në hartën e flamurit të Kosovës e ka ngrisur, si shenjë e ndarjes së asaj pjese.

“Unë jam Unë” ka protestuar në një mënyrë të ngjashme edhe për 8 mars, ku nga 8 lulet e mbajtura në dorë ka treguar 8 thëniet që janë përdorur në Kuvend të Kosovës për 8 gratë.