Karantina globale rrit fitimet e industrisë me drita të kuqe në Rumani

Alexandra Manole kaloi tre vjet duke punuar si “modele” për të rritur që shfaqet live në kamera në Rumani para se ta linte këtë punë së bashku me një kolege në 2017.

Kompania e tyre, Studio 20 Double D, po ecte shumë mirë, por më pas ra COVID-19 dhe Manole mori shumë aplikime për punë dhe klientë të rinj.

“Aplikimet u rritën me 100 për qind dhe numri i përdoruesve u dyfishua”, tha Manole për BIRN.

“I joni është një biznes që punon në një situatë të tillë si kjo.”

Rumania është një lider global në lidhjet me kamera për të rritur.

Tashmë që shumica e botës është urdhëruar të qëndrojë në shtëpi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, trafiku në faqet e internetit për të rritur po shtohet. Edhe SHBA-ja, e cila përbën pjesën më të madhe të audiencës, tani po fillon të izolohet plotësisht në shtëpi.

“E gjithë industria, përfshirë kompaninë tonë, pret që konsumi dhe numri i përdoruesve të rritet”, tha sipërmarrësi rumun i IT, Alex Bluck, drejtor teknik i SkyPrivate, një platformë që lidh modelet live online me klientë dhe merr pagesa për çdo minutë që ata kalojnë online.

Në mars trafiku në faqet pornografike u shtua

Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë shpërndarë meme dhe barsoleta që nga fillimi i krizës duke aluduar në rritjen e mundshme të trafikut në faqet pornografike.

Ata u treguan profetikë kur PornHub, faqja më e madhe e internetit për të rritur në botë, raportoi në mes të marsit një rritje mesatare ditore në trafik prej 5.7 për qind.

PornHub uli koston e videove të saj premium për përdoruesit në vendet më të prekura nga përhapja e COVID-19. Në Itali, epiqendra europiane e pandemisë, trafiku mesatar ditor u rrit me më shumë se 13 për qind.

Por edhe pjesë të tjera të industrisë së argëtimit për të rritur kanë përfituar gjithashtu, përfshirë daljet live në kamera.

Duke theksuar se nuk merren me pornografi, Manole dhe Bluck thonë se dalja live në kamera ofron një përvojë ndërvepruese në të cilën “modelet” mbështeten në aftësitë e tyre për komunikim dhe empati. Ata thonë se shumicën e kohës për të cilën përdoruesit paguajnë e kalojnë duke biseduar.

“Si njerëz, ne kemi nevojë të flasim me dikë, të na dëgjojnë dhe të hapemi me të tjerët pa na gjykuar”, tha Manole. “Ne shpesh hapemi më lehtë me njerëz që nuk i njohim, sepse kështu nuk kemi frikën se do të na gjykojnë.”

Bluck e përshkroi shërbimin në ofertë si një “përvojë me një të dashur virtuale”.

“Instinkti i tyre i parë është të shohin një vajzë të zhveshur që i kushton vëmendje vetëm atij, por marrëdhënia shpesh shndërrohet në diçka tjetër dhe ata flasin për jetën dhe ndjenjat e tyre”, tha ai për BIRN.

Izolimi i shtyn punonjëset e seksit t’i drejtohen kamerës live

Instituti Kombëtar i Statistikave i Rumanisë, INS, thotë se nuk gjurmon të dhënat për biznesin me kamera live për të rritur në vendin anëtar të Bashkimit Europian.

Por, sipas hulumtimit të tregut të kryer nga SkyPrivate i Bluck, më shumë se 100,000 gra në Rumani punojnë në industri.

“Disa studio kanë pesë ose dhjetë modele, por ne punojmë gjithashtu edhe me studio që kanë deri në 300 modele, dhe ka disa qindra studio në Rumani”, tha Bluck. Ai e renditi Rumaninë si vendin e dytë pas SHBA-së përsa i përket ofruesve të kamerave live për të rritur.

Manole tha që pandemia e koronavirusit kishte shkaktuar një rritje të aplikimeve në mars nga ana e “modeleve” që duan të punojnë live në kamera.

“Po aplikojnë shumë vajza të reja”, tha ajo për BIRN. “Ne i bëjmë intervistat në internet si masë paraprake.”

Shumë nga ato që kërkojnë t’i bashkohen këtij biznesi janë punonjëse seksi ose nga ato që punojnë duke ofruar masazhe erotike. Të ardhurat e tyre kanë rënë për shkak të kufizimeve në lëvizje të vendosura në të gjithë globin.

Bluck tha se ai kishte parë një trend të ngjashëm në aplikime nëpër studiot me të cilat kompania e tij punon në pjesën tjetër të Europës dhe SHBA-së, dhe vuri në pikëpyetje faktin nëse industria kishte aftësinë t’i punësonte të gjitha ato.

“Studiot, të cilat janë në një nivel shumë të lartë profesionalizmi, nuk do të pranojnë shumë prej tyre, pasi punët që ato dinë të bëjnë janë shumë ndryshe nga lidhjet live me kamera”, tha Bluck. “Në lidhjet live me kamera duhet të flasësh anglisht, të jesh një komunikues i shkëlqyeshëm.”

Manole tha se modelet që shfaqen live në kamera dhe punojnë tetë orë në ditë mund të presin të fitojnë më shumë se 3,000 dollarë në muaj.

Por izolimi që po rrit interesin në këtë industri kërcënon gjithashtu të prekë mundësinë e klientëve për të shpenzuar, pasi ndikimi shkatërrues i pandemisë në ekonomi do të fillojë të ndihet, paralajmëroi Bluck.

“Këtë herë shqetësimi ynë si biznes është më i madh sepse kjo nuk është një krizë klasike dhe ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

“Rreziku për ne si kompani është te fakti se kjo është një krizë më e rëndë se të tjerat edhe për klientët tanë”, tha Bluck. (reporter.al)