Karamelet e LDK-së pas zgjedhjeve: Ish-drejtori i Lutfi Hazirit bëhet pjesë e stafit civil

Ish-drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Nexhat Hajruallhu i është bashkuar stafit civil të kësaj komune.

Hajrullahu, i cili nga vitit 2015 deri në vitin 2017 ishte drejtor, më 17 tetor 2019 është shpallur si kandidati më i suksesshëm për pozitën udhëheqës i sektorit të arsimit në Gjilan.

Ai për KALLXO.com mohoi që ish-shefi i tij, Lutfi Haziri të ketë ndikuar që ai të merr këtë pozitë.

“Unë jam zgjedhur në bazë të konkursit, testit normal dhe përvoja normal ka ndikuar që unë të përzgjedhem, jo kryetari përvoja ime, aftësitë e mia kanë ndikuar. Në test kam qenë i pari edhe me gojë edhe me shkrim”, tha Hajrullahu.

KALLXO.com ka siguruar raportin e komisionit vlerësues për këtë pozitë, ku shihet se Hajrullahu ka marrë më shumë pikë se dy kundër kandidatët e tjerë.

Hajrullahu në total kishte 84.50 pikë dhe u vlerësua në mënyrë të ndryshme nga anëtarët e komisionit.

Nga njëri anëtar i komisionit ai ishte vlerësuar me 170 pikë, nga tjetri anëtar 160 pikë, nga një anëtar 170 pikë dhe anëtari i fundit e kishte vlerësuar me 175 pikë.

Pjesë e këtij komisioni vlerësues kanë qenë Mursel Zymberi kryesues i komisionit dhe anëtarët e tjerë, Samid Rrobelli, Qazim Azizi, Milivoje Zivokic dhe Shqipe Haziri.

Në këtë konkurs të shpallur me 10 shtator, kriteret kanë qenë që kandidati të ketë diplomë në shkencat shoqërore dhe katër vite, njohuri të mirë të ligjeve dhe rregulloreve në fushën përkatëse etj.

Ndërsa në biografinë e Hajrullahut të publikuar nga Komuna e Gjilanit sa kishte qenë drejtor i Shëndetësisë, shihet se ai ka kryer doktoraturë për diplomaci ndërkombëtare dhe është master për studime për paqe dhe zhvillim.

Ndërsa, edhe pse Hajrullahu tashmë është bërë pjesë e stafit civil ai është edhe anëtar i nëndegës së LDK-së në Zhegër.

www.kallxo.com