Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të FSSh-së, Bujar Kaquri

Kaquri: Ende nuk dihen borxhet e institucioneve jashtë vendit ndaj Fondit të Sigurimeve Shëndetësore

Ndonëse 94 për qind e buxhetit për trajtim jashtë vendin shkon në spitalet e Turqisë, përfaqësuesit e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore thonë se ende nuk kanë raporte zyrtare rreth borxheve që këto institucione i kanë Kosovës.

As borxhet që Kosova u ka institucioneve private brenda dhe jashtë vendit nuk dihen saktë nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore.

Kështu kanë deklaruar zyrtarë të këtij institucioni në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku u ftuan për të raportuar për pasqyrat financiare të audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv, Bujar Kaquri, tha se FSSh është pajtuar me gjetjet e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe tashmë kanë përpiluar një plan veprimi.

“Nuk ka asnjë evidencë për barazimet me institucionet jashtë vendit. Rekomandimi ka qenë që raporti të jetë gjashtë mujor por asnjëherë nuk ka raport deri më tash. Unë kështu e kam pranuar detyrën dhe tash e tutje do t’i shohim mundësitë e veprimit. Të gjitha borxhet janë të arkivuara në FSSh dhe në mbledhjen e ardhshme të bordit na është kërkuar që t’i kemi të listuara”, ka thënë Kaquri.

“Komisioni i barazimeve është duke punuar me spitalet jashtë Kosovës, sidomos në Turqi, por deri më sot nuk ka pasur asnjë raport zyrtar që do ta evidentonte gjendjen në ato institucione shëndetësore. Lista e patologjive nuk është reviduar asnjëherë dhe asnjëherë nuk është respektuar. I vetmi raport që është dorëzuar për obligimet nga zotimet ka qenë nga ish-bordi”, ka shtuar më tej Kaquri.

U.d i kryeshefit ekzekutiv ka premtuar se institucionet e vendit tash e tutje do të kenë qasje në të gjitha raportet e FSSh-së.

“Ne do të publikojmë secilin raport dhe secilin shpenzim që aprovohet në Bordin e FSSh në secilin institucion që na kërkohen. Ky është zotimi ynë si menaxhment i ri që e kemi marrë posa e kemi pranuar detyrën”, u zotua Kaquri i cili tha se deri më tash nuk është zvogëluar lista e pritjes së pacientëve që presin për pagesa.

“Ka pacientë që presin nga vitin 2015 që presin për pagesa. Përderisa ka ende pabarazime me spitalet ku trajtohen këta pacientë nuk mund të themi që kemi zbritur listën e pritjes”, ka përfunduar ai në raportimin para komisionit.