
Kaplohet nga zjarri "Kino Rinia" në Prishtinë, nuk raportohet për të lënduar - VIDEO
Ish-objekti i “Kino Rinia” në rrugën “Migjeni” në Prishtinë është përfshirë nga zjarri pasditen e së premtes, më 07.02.2025.
Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Nga rasti nuk raportohet për persona të lënduar, pasi thuhet se objekti ka qenë i boshatisur kur është kapluar nga flaka.
Ahmeti thotë se me rastin po merren Policia dhe zjarrfikësit.
“Sot rreth orës 15:30 kemi pranuar informatën për një zjarr në një objekt në rrugën ‘Migjeni’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe Policia të cilët janë duke u marrë me rastin.” – ka thënë Ahmeti për KALLXO.com.
“Kino Rinia” është njëra ndër kinematë më të vjetra të Kryeqytetit, e cila më 15.11.2021 është futur në listë të mbrojtjes së përkohshme nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Në vitin 2020 ishte planifikuar që në këtë objekt të hapej një Qendër Tregtare. Për këtë ka pasur shumë reagime nga organizata të kulturës, të cilat kërkonin që të ndalohej ridestinimi i kinemasë dhe kishin dërguar Kërkesë në MKRS, që objekti të futej në mbrojtje.
Ndërkaq, më 19.10.2021, MKRS publikoi listën me objekte të reja që janë futur në mbrojtje – përfshirë këtu edhe “Kino Rininë”.
“Kino Rinia” është përdorur si vend ku projektoheshin filmat dhe konsiderohej si një nga Qendrat kryesore të Kulturës në Kryeqytet për më shumë se gjysmëshekulli.
Kjo kinema tash e 20 vjet është braktisur dhe nuk e ka atë funksion. Pas futjes në listën e trashëgimisë kulturore nga MKRS, “Kino Rinia” do të marrë status të njëjtë sikur kinemaja “Lumbardhi” në Prizren dhe “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
“Kino Rinia” futet në listë të mbrojtjes, planifikohej të shndërrohej në qendër tregtare