Nazmi Mikullovci dhe Albin Kurti

'Kapja' e AKP-së, flet kryesuesi i bordit Nazmi Mikullovci

Kryesuesi i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nazmi Mikullovci, në “KALLXOPernime” është pyetur edhe për njerëzit e partisë në pushtet – Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kanë marrë pozita të rendësishme në këtë institucion dhe borde të ndërmarrjeve tjera publike.

Mikullovci para se të zgjedhet në krye të bordit të AKP-së, ka qenë kryesues i Komitetit për Industri në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë në AKP jam marrë kryesisht me ekonomi, s’jam marrë me cështje të tjera. Kam qenë kryetar i komunitetit për zhvillim ekonomik dhe prej prej programit të 2010-es deri në këtë të fundit që s’kam qenë se kam pas qenë me COVID-19, kam qenë në grupin e ngushtë për përcaktimin e strategjisë qeverisëse, por nuk dum ë shumë më fol për këtë, është cështje e tyre”, u shpreh ai.

Ndërkaq i pyetur nëse ka donatorë të Lëvizjes Vetëvendosjes që kanë përfituar privatizime ai u përgjigj se “nuk e din, nuk ka”.

Për hapësirat te “Grandi” të cilat po shfrytëzohen nga “Devollët”, këta të cilët kryeministri Albin Kurti kishte pohuar se vite më parë kishin financuar një fushatë të tyre, Mikullovci shpjegoi se si janë procedurat për dhënien e qirasë.

“Dhënia me qira është e rregulluar më një rregullore për një vit, dhe investimet na nuk i pranojmë, dhënia bëhet me tender publik, bëhet shpallja është komisioni dhe ofertuesi më çmim më të lartë e fiton. Unë nuk jam në komision, është njeri i profesionit. Çfarë konflikti të interesi ka këtu, ai ka konkuru me tender publik. Shikoni çmimet çfarë janë”, u shpreh Mikullovci në “KALLXOPërnime”.

KALLXO.com më 21 korrik 2021 ka raportuar se Naim Halili i cili në janar të atij viti i kishte dhuruar 100 euro donacion për Lëvizjen Vetëvendosje, u emërua anëtar i bordit të përkohshëm të Postes së Kosovës.

Edhe gjatë qeverisjes Kurti I, në bordin e “Postës së Kosovës” ishte emëruar kryesues i bordit Mentor Arifaj i cili kishte dhënë donacion për partinë ‘Lëvizja Vetëvendosje’.

Mentor Hysenaj, i cili ishte emëruar kryesues në Bordin e Përkohshëm të “Ujësjellësit Prishtina” ishte edhe kandidat për deputet nga kjo parti në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Ndërsa, një tjetër anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Dërmaku ishte emëru anëtar i përkohshëm i Bordit në Hekurudhat e Kosovës – Infrakos.