Kapet në Rinas i dënuari me 16 vjet burgim për vrasje

Policia e Shtetit e Shqipërisë ka bërë të ditur se e ka arrestuar një 54-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte dënuar me 16 vite burgim për vrasje.

Sias njoftimit, ai u prezantua në Policinë Kufitare të Rinasit me identitet të rremë, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje, falë verifikimeve të thelluara, shkëmbimit të informacionit në kohë mes Policisë Kufitare, Departamentit të Policisë Kriminale, autoriteteve policore angleze dhe DVP Fier, është identifikuar dhe është vënë në pranga.

“Në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas u ndalua në hyrje, për verifikim më të detajuar, një shtetas 54-vjeçar, i cili ishte kthyer deportiv nga Anglia. Në momentin e parë ky shtetas ka dhënë gjeneralitete të tjera duke bërë që punonjësit e Policisë të dyshonin për vërtetësinë e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, pas verifikimeve rezultoi se ai ishte shtetasi i shpallur në kërkim Adrian Hoxha (Haziz Hysa), 54 vjeç, banues në Siqecë, Patos, i cili udhëtonte si pasagjer i deportuar nga Anglia për në Shqipëri.

“Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 17.04.1998, e ka dënuar këtë shtetas me 16 vite burgim, për veprën penale “Vrasja”. Ky shtetas, në datën 30.01.1995, në fshatin Siqecë, Patos, ka vrarë me armë gjahu për motive të dobëta, shtetasin M. Z.”, thuhet tutje në njoftim.

54-vjeçari iu dorëzua Patrullës së Përgjithshme të Policisë në DVP Fier, për shoqërim dhe veprime të mëtejshme dhe në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë bërë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.