Foto: Policia e Shtetit

Kapet me armë me silenciator në qytet

Në kuadër të luftës kundër shpërndarësve të drogave të forta, Policia shqiptare pas një hetimi trejavor ka realizuar të shtunën operacionin “Befasia”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. T., 32 vjeç, banues në Tiranë, person me precedent penal në fushën e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.

Pas tri javë hetimesh, nisur dhe nga informacioni i marrë se ky shtetas në vendin e quajtur ” Qytet i nxënësve” po qarkullonte me biçikletë dhe mund të kishte me vete lëndë narkotike dhe armë zjarri, forcat e rendit e kanë ndaluar dhe pas kontrollit në çantën që mbante në dorë i kanë gjetur një armë zjarri – pistoletë me silenciator.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi fishekësh luftarakë.

Sipas Policisë së Shtetit, materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.