Kapet me 15 kilogramë mariuhanë, tentoi t`u ikte Policisë - FOTO

Rreth 15 kilogramë mariuhanë janë konfiskuar mbrëmë rreth orës 18:00 në fshatin Milloshevë të Prishtinës, gjatë kontrollit të një makine, nga ana e Policisë së Kosovës. Një person është arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë ende në kërkim.

Siç bëhet e ditur nga vetë Policia, paprakisht hetuesit policorë kishin informacione se disa të dyshuar po bënin transportin e substancës narkotike, ndërsa hetuesit kishin arritur ta identifikonin veturën.

“Fillimisht drejtuesi i veturës ka tentuar të ik me të vërejtur policinë, por falë edhe patrullës policore të trafikut, vetura është ndalur. Gjatë kontrollit të veturës, në bagazh, janë gjetur tre thasë të mbushur me substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Në cilësinë e provave materiale janë konfiskuar 15 kilogram e 234 gram substancë narkotike-marihuanë, një veturë dhe një telefon”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare dhe gjyqtari i procedurës paraprake, të cilët kanë dhënë urdhërin për kontroll në dy lokacione në Fushë Kosovë. Por që gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

I dyshuari me inicialet K. T., viti i lindjes 1986 me urdhër të prokurores është ndaluar për 48 orë, ndërsa dy personat e tjerë të dyshuar e të njohur për policinë, janë shpallur në kërkim.