Kapet duke kaluar ilegalisht kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, i gjinden rreth dy kilogramë drogë

Sot rreth orës 18:45, Policia Kufitare e Kosovës, drejtoria rajonale-Lindje, konkretisht njësia patrulluese (Stacioni policor për Mbikëqyrje të Kufirit-SPMK) Hani i Elezit, gjatë realizimit të detyrave dhe vëzhgimit për menaxhim dhe kontroll efikas kufitar, në rrugën Ekzodi99 në Han të Elezit në zonën kufitare në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës kanë ndaluar një person duke tentuar ta kalojë ilegalisht kufirin mes dy vendeve.

Sipas njoftimit, gjatë legjitimimit dhe kontrollit trupor të personit në pallto i janë gjetur edhe katër paketime me rreth dy kilogramë substancë të dyshuar narkotike. Policia thotë se sipas të dyshuarit, bëhet fjalë për heroinë.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia e Anti-Drogës në Ferizaj dhe është iniciuar rasti posedim i paautorizuar i narkotikëve dhe – tentim kalimi ilegal i kufirit.

Substanca e dyshuar është konfiskuar, personi i dyshuar është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.