Kapen rreth 70 kilogramë kanabis në pikën kufitare në Morinë

Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se ka kapur rreth 70 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në pikën kufitare në Morinë.

Përmes një komunikate për media, Policia e Shtetit ka njoftuar se në lidhje me rastin është arrestuar një person, 48 vjet nga Rumania, që transportonte lëndën narkotike.

“Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në pjesën e poshtme të automjetit që drejtonte ky shtetas, në shasi, në një hapësirë të përshtatur për të fshehur lëndë narkotike, u gjetën dhjetëra pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 70 kilogramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe me 2 aparate celulare” – thuhet në njoftim.

Policia ka thënë se në  bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon hetimi i thelluar, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si për identifikimin e kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.