Policia e Kosoves

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Kapen në flagrancë tre të dyshuar për vjedhje në shkollën e mjekësisë në Ferizaj

Zyrtarët policorë të Ferizajt të dielën në mbrëmje kanë pranuar një informacion se në shkollën e mjekësisë, e cila është në ndërtim, ka qenë duke u kryer një rasti i vjedhjes në proces.

Lidhur me rastin, policët është thënë se kanë dal menjëherë në vendngjarje për të kryer veprimet e nevojshme, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e tre personave të dyshuar.

Këta të fundit, sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, janë zënë në flagrancë duke vjedhur kabllo të instalimit elektrik të objektit, ku është thënë se sipas ankuesit, vlera e dëmit përllogaritet të jetë 20 mijë euro.

“Policët hetues të stacionit në Ferizaj në flagrancë kanë kapur tre persona të dyshuar të cilët ishin duke vjedhur kabllo të instalimit elektrik të objektit” – është thënë nga Policia.

Sipas njoftimit, të dyshuarit, F.K., i moshës 29-vjeçare, E.P., i moshës 21-vjeçare dhe M.A., i moshës 20-vjeçare, janë shoqëruar në stacion policor ku janë kryer procedurat e intervistimit.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Vjedhje e rëndë”.