Kapen 520 kg marihuanë në Serbi (FOTO)

520 kilogramë marihuanë, e paketuar në 134 pako, janë kapur nga policia në Nish të Serbisë, të cilat, siç raportojnë mediat atje, dyshohet se në territorin serb, janë futur nga Kosova. Në këtë aksion policor, Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, ka njoftuar se është arrestuar një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale të shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve.

Punonjësit policorë në Nish kanë ndaluar një mjet mallrash me drejtues shtetasin N.I (1976) dhe gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur 134 pako me marihuanë, ka njoftuar Ministria e Brendshme e Serbisë.

Të dyshuarit N. I. i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Nish.

“Vazhdon lufta e ashpër e Ministrisë së Punëve të Brendshme me shpërndarësit e drogës, pavarësisht nëse Serbia është vend transit apo destinacion final për shitjen e drogës, me të njëjtën vendosmëri dhe luftë do të arrestojmë këdo që importon dhe shet drogë në vendin tonë”, citojnë mediat në Serbi, të ketë thënë ministri i policisë së shtetit verior fqinj, Aleksandar Vulin.

Fotot: MPB e Serbisë
Fotot: MPB e Serbisë