
107 kg marihuanë e sekuestruar në terminalin doganor, Foto: Policia e Kosovës
Kapen 107 kg drogë në një kamion në terminalin doganor në Prishtinë - FOTO
Një shtetas serb 32 vjeçar me inicialet M. P., është arrestuar mbrëmë nga policia pasi në kamionin me targa të huaja të cilën po e voziste u gjetën dhe u sekuestruan 107 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.
Policia ka njoftuar se Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik në bashkëpunim me Doganën e Kosovës mbrëmë në terminal doganor, ka ndaluar një kamion ‘Iveco’ me targa të huaja të cilin e drejtonte i dyshuari M. P., (1991), shtetas i Serbisë nën dyshimin për substancë narkotike.
Në bashkëpunim me oficerët e Doganës së Kosovës, gjatë kontrollimit në dy rezervuarët e derivateve janë gjetur bunkerë të modifikuar, ku në brendi kishte 101 paketime të plastikës me të substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
Nga Njësia e Forenzikës është bërë sekuestrimi dhe tërheqja e dëshmive, ku pesha e përgjithshme e narkotikëve të sekuestruar ka qenë rreth 107 kilogramë.
Po ashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe një telefon celular, një GPS, disk diagrami i tahografit, një kamion, 95 euro si dhe 2500 dinarë.
Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë kurse rasti procedohet për veprime të mëtutjeshme, përderisa vazhdojnë veprimet hetimore nga drejtoria përkatëse.