Flamuri i Kanadasë, Foto: Qeveria kanadeze

Kapelat “Kanadaja nuk është në shitje” bëhen virale pas kërcënimeve të Trumpit

Kërcënimet verbale të Donald Trumpit ndaj Kanadasë po i shpaguhen një sipërmarrësi, pasi qasja grindavece e presidentit amerikan ia dha atij një ide.

Liam Moneey, themelues i firmës së dizajnit në Otavë, ka reaguar me kapela me mbishkrimin “Canada is Not for Sale” (Kanadaja nuk është në shitje), si reagim ndaj kërcënimit të Trumpit për vendosje të tarifave dhe sugjerimeve që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – raporton të premten, më 24.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

Kapelat kanë rrokur vëmendjen e madhe, pasi kryeministri i Ontarios, Doug Ford po e mbante gjatë një takimi me kryeministrin kanadez, Justin Trudeaum dhe me Kryeministrat e tjerë javën e kaluar në Otavë, gjatë takimit për të diskutuar zotimin e Trumpit për t’i vendosur tarifa importeve kanadeze.

Sipas Mooneyt, dhjetëra-mijëra kapela janë porositur online prej asaj paraqitjeje.

Mooney ka thënë për Reutersin se i kishte dizajnuar kapelat si kundërpërgjigje kreative ndaj retorikës së presidentit Trump, me synimin për t’ia prerë udhën diskutimit politik me një mesazh nacionalizmi dhe uniteti.

“Është një mundësi për t’i bërë njerëzit tok nga krejt shoqëria civile, pavarësisht prej bindjeve të tyre politike.” – ka thënë Mooney.

Tarifat do ta dërrmonin ekonominë kanadeze dhe do të ngrehnin edhe çmimin e naftës e mallrave të tjera në Shtetet e Bashkuara.

Trump ka kërcënuar me tarifa, në kohën kur Kanadaja po përballet me shkundje politike, me liderin liberal, Trudeau i cili pritet të japë dorëheqjen në mars, pothuajse një dekadë pas ardhjes në pushtet dhe opozitës konservatore që po prin në matjet e opinionit publik para Zgjedhjeve federale të sivjetme.

Mooney ka thënë se ai dhe partneri i tij i biznesit i dizajnuan kapelat, pasi panë njërën prej intervistave të fundit të Fordit në Fox News. Moderatori i kishte kërkuar të shqyrtonte aneksimin – duke sugjeruar se do të ishte “privilegj” për Kanadanë që t’i bashkohej SHBA-së.

Ford reagoi duke theksuar se Kanadaja nuk është në shitje.

Trump duke folur nëpërmjet një videolidhjeje për Forumin Ekonomik Botëror në Davos në Zvicër të enjten ka thënë se ka kërkuar respekt nga Kanadaja. Ai më parë i ishte adresuar Trudeaut si “guvernator”.

“Sovraniteti ynë kërcënohet kur nuk respektohet dinjiteti ynë.” – ka thënë Mooney. “Ne kemi aleatë dhe kemi miq anembanë botës, të cilët janë të gatshëm t’i përgjigjen thirrjes dhe të na mbrojnë dhe të na bashkohen”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com