Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kaosi në Mal të Zi, PDK bën thirrje që t'i bëhet presion Serbisë për respektim të sovranitetit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është shprehur i shqetësuar për zhvillimet e fundit në Mal të Zi.

Lideri opozitar ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjë presion Serbisë në respektimin e sovranitetit të shtetit malazez.

“Ky është një deja vu i viteve nëntëdhjetë kur Serbia instrumentalizoi fenë për të nxitur destabilizimin dhe konfliktin. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar t’I bëjë presion Serbisë të respektojë sovranitetin e Mali të Zi dhe të të gjitha vendeve fqinje”, ka shkruar Krasniqi në rrjetin social “Twitter”.

Dhjetëra persona janë plagosur në protestat që u mbajtën në Mali të Zi më 5 shtator kundër ceremonisë së shugurimit të kreut të Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, Joanikije, në qytetin e Cetinjes.

Malazezët tjerë dëshirojnë një kishë ortodokse të ndarë nga ajo serbe.

Kundërshtuesit e ceremonisë së zhvilluar në Cetinje e shohin atë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi.

Ata kërkuan që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike.