Dy të pandehurit Ergim Qorolli dhe Blend Mjaku gjatë shpalljes më 13.09.2024 në Gjykatën e Prishtinës.

Kanosja ndaj deputetes Blerta Deliu – Kodra, gjykata merr vendim

Gjykata e Prishtinës i ka shpallur fajtorë Ergim Qorollin dhe Blend Mjakun për kanosje në rrjetin social Facebook ndaj deputetes së PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, duke i dënuar të dy me nga 6 muaj burgim.

Gjyqtari i rastit Sabit Sadikaj njoftoi se me pëlqimin e dy të pandehurve dënimi me burgim do t’u zëvendësohet me denim me gjobë në lartësi prej 1000 euro për secilin.

Sipas aktgjykimit të shpallur më 13.09.2024, të pandehurit përveç gjobës obligohen të paguajnë edhe nga 20 euro në emër të paushallit të shpenzimeve gjyqësore si dhe nga 20 euro në emër të viktimave të krimit.

Kurse deputetja Blerta Deliu – Kodra në cilësinë e palës së dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta realizojë në kontest civil.

Të pranishëm në seancë ishin dy të pandehurit Ergim Qorolli dhe Blend Mjaku, kurse nuk u pa e pranishme deputetja Blerta Deliu – Kodra.

Sipas aktakuzës, kanosja ka ndodhur në vitin 2021 përmes rrjetit social pas një seance të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Më 10.09.2024, Ergim Qorrolli dhe Blend Mjaku, dy nga të akuzuarit për kanosjen e deputetes Blerta Deliu- Kodra, kishin pranuar se e kanë kanosur deputeten në fjalë.

“Jam fajtor, nuk e përsëris më” – deklaroi i akuzuari Ergim Qorolli.

“E ndjej veten fajtor dhe më nuk do ta përsëris” – deklaroi i akuzuari tjetër Blend Mjaku.

Ndërsa për të akuzuarin e tretë, Mirand Terzija, është veçuar procedura penale. Ndaj të njëjtit gjyqtari Sabit Sadikaj bëri të ditur se kanë lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim të pandehurit dhe konstatimi ka ardhur se i njëjti jeton jashtë vendit.

Çfarë thotë dosja e prokurorisë?

Bazuar në dosjen e prokurorisë, të pandehurit Ergim Qorolli, Blend Mjaku dhe Mirand Terzija akuzohen se më 19.11.2021, pas një seance të Kuvendit të Kosovës, me dashje dhe seriozisht e kanë kanosur deputeten e Republikës së Kosovës, Blerta Deliu-Kodra.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit e kishin bërë këtë përmes rrjetit social “Facebook”, ashtu që i pandehuri Ergim Qorolli i ishte drejtuar me fjalët: “gjakin bre ta q…, robt bre ti q…, krejt ata të gjall e ata më të afërmit ti q…, bre k***ën e nanës ta q…, zoti shpirtin ta marrt qysh o mas keqi bre k***en e serbis ta q…”.

Ndërsa i pandehuri Blend Mjaku, sipas aktakuzës thuhet se ishte drejtuar me fjalët: “krejt sha ki ti q…, dekmit ti kisha q.., edhe ti q., kisha pre për zgjalli tkisha gri”. Kurse i akuzuari Terzija ishte drejtuar me fjalët: “krejt robt ti q… ha, qysh UQK terroristë ti q… gjakin e nanës ta q…k***en e dreqit, ta q… sh….. e nanës ho oj sh…. ti q… tdekmit n loqk”, me çka tek e dëmtuara, deputetja Deliu- Kodra është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këto veprime Qorolli, Mjaku dhe Terzija po akuzohen se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Kanosje”.