Ilustrim

Kanosja e mjekut në QKUK, reagon edhe ShSKUK-ja

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka reaguar pas kanosjes që i është bërë një mjeku të Klinikës së Kardiologjisë.

SHSKUK ka thënë se dënon kërcënimin ndaj mjekut kujdestar, specialist i kardiologjisë, i cili kërcënua në detyrë, gjatë dhënies së shërbimeve shëndetësore për pacientë.

“Aktet e tilla të kërcënimit ndaj punëtorëve shëndetësorë në detyrë, në institucionet shëndetësore, janë të pa pranueshme, të dënueshme dhe të dëmshme”, thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se këto akte e dëmtojnë rëndë imazhin dhe dinjitetin e mjekut, por e dëmtojnë edhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore për gjithë qytetarët e Kosovës.

“ShSKUK kërkon nga organet e drejtësisë të merren me rastin në fjalë dhe ndaj kërcënuesit të ndërmerren masa konform legjislacionit në fuqi”, është thënë në njoftim.

Lidhur me rastin, edhe Oda e Mjekëve të Kosovës gjatë ditës ka reaguar.

Në reagimin e OMK-së është thënë se informatën për këtë rast e kanë pranuar me shqetësim duke thënë se sulmet fizike dhe verbale ndaj personelit shëndetësor nuk kanë të ndaluar.

Madje, sipas OMK-së, shqetësues është edhe fakti se, sipas tyre, institucionet përgjegjëse me pasivitetin e tyre janë duke i stimuluar këto sulme.

“Shqetësues mbetet fakti që institucionet përgjegjëse, sidomos ato të ndjekjes penale me pasivitetin e tyre janë duke i stimuluar këto sulme që tanimë janë bërë fenomen ditor”, thuhet në reagim.

OMK mundësin e ekspozimit ndaj kriminalitetit të dhunshëm ndaj mjekut e cilëson të e madhe.

Për këtë, Oda e Mjekëve ka kërkuar që institucionet shëndetësore, autoritetet kompetente të nivelit qendror dhe atij lokal, të trajtojnë me seriozitetin më të madh sigurinë në vendin e punës.

Gjatë ditës Policia e Kosovës kishte njoftuar se një person ka përfunduar në pranga të premten në mbrëmje pasi dyshohet se kishte kanosur një mjek në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK.

Sipas njoftimit të forcave të rendit, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti e kishte kanosur ankuesin, mjek në klinikën e lartcekur deri sa ai ka qenë në orar të punës”, thuhej në njoftim.

Sulmohet mjeku në QKUK, reagojnë nga Oda e Mjekëve