Ilustrim

Kanosën shtetasin italian, arrestohen tre shtetas të Shqipësisë në Pejë

Tre shtetas të Shqipërisë janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin se kanë kanosur dhe detyruar një shtetas evropian, punonjës në një organizatë jo qeveritare në Kosovë.

Lajmin e ka konfirmuar policia në raportin e saj 24 orësh, por nuk ka dhënë detaje tjera kur është kontaktuar nga KALLXO.com.

“Lidhur me rastin nën dyshimin se kishin kryer veprat e caktuara me lart janë arrestuar 3 meshkuj të dyshuar shqiptar, shtetas të Shqipërisë. Nga të dyshuarit në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një veturë dhe 3 telefona. Pas intervistimit me vendimi të prokurorit 3 të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raportin e policisë.

Shkodran Nikçi zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, ka treguar se aksioni është zhvilluar në disa qytete të Kosovës.

“Të njëjtit e kanë kanosur dhe detyruar viktimën i cili është shtetas i një vendi të Bashkimit Evropian dhe punon në një organizatë jo qeveritare në Kosovë. Prokuroria është ne përgatitjen e kërkesës për caktimin e paraburgimit prej 1 muaji”, tha Nikçi.

Kallxo.com merr vesh se të dyshuarit e arrestuar tashmë kishin kërkuar shuma të mëdha parash nga personi me nacionalitet Italian dhe i njëjti në Kosovë punon në një organizatë jo qeveritare në rajonin e Pejës.