
Kandidati për deputet Radoica Radomiroviq. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Kandidatja serbe për deputete të Kosovës: Synojmë ta kemi një ministër në qeverinë e re
Kandidatja serbe për deputete në Kuvendin e Kosovës, Danijela Vuçiniq, në “Debat Përnime” deri sa shpalosi planet e Iniciativës Qytetare “Drejtësia Popullore” (Narodna Pravda), tha se pretendojnë ta kenë një ministër në Qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Nëse do të jemi pjesë e qeverisë, do të biem dakord për këtë çështje, por mendojmë që do të kemi të paktën një ministër në qeveri- të gjinisë mashkullore”- tha ajo.
E nëse si subjekt politik bëhen pjesë e qeverisjes për mandatin e ardhshëm, ajo tha se do ta trajtojnë me prioritet infrastrukturën rrugore.
“Nëse bëhemi pjesë e qeverisë, fillimisht do të përqendrohemi në infrastrukturë, sepse kemi shumë rrugë që nuk janë përfunduar ose që janë në gjendje të keqe. Në qendër të Leposaviqit, përballë komunës, keni rrugë që nuk janë shtruar, që janë të hapura dhe ku vërtet vështirësohet lëvizja e përditshme e qytetarëve”- tha ajo.
Vuçiniq u zotua edhe për angazhim në përmirësimin energjisë elektrike, pasi sipas saj furnizimi me energji elektrike në pjesë veriore është i dobët.
“Debat Përnime” është format i cili është transmetuar për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që kanë prezantuar programet e tyre, janë përballur me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “shenjëstruara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në emisionin e fundit zgjedhor ka ftuar Nismën Qytetare nga komuniteti serb.
“Kemi dashtë me e përmbyllë këtë seri të debateve zgjedhore duke i dhënë hapësirë një pjesë më pak të përfaqësuar të shoqërisë tonë. Kosova është shteti i të gjithë qytetarëve. Këtu ishim dashtë më u ndje rahat edhe të sigurt edhe shqiptarët, edhe serbët, edhe turqit, edhe boshnjakët, edhe romët, edhe ashkalinjët, edhe egjiptasit, edhe goranët, edhe terbeshet”- ka thënë ajo.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim: