Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatja për deputete e AAK-së kërkon rinumërim të të gjitha votave të 14 shkurtit

Kandidatja për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj, i ka rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumërojë të gjitha votat e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ajo ka vlerësuar se vetëm rinumërimi total i votave do të zbardhë të vërtetën “e gjithë këtij lëmshi”.

“Për hir të demokracisë dhe besimit qytetarë, e duke i parë rastet tashmë të konstatuara edhe nga PZAP në tjetërsimin e besimit qytetarë si dhe duke përcjellur edhe kërkesat e kandidatëve për deputet nga shumë parti politike për rinumërim të votave, konsideroj  që më e pakta që mund të bëjë KQZ për të parandaluar këtë degradim të vullnetit të qytetarëve është marrja e vendimit për  rinumërimin e  të gjithë vendvotimeve”, ka shkruar ajo në Facebook.

Reshitaj ka kërkuar të ketë transparencë dhe përgjegjësi ligjore.

“Vetëm rinumërimi total i votave do të zbardh të vërtetën e gjithë këtij lëmshi. Kjo është mirë të bëhet para së gjithash edhe për të ardhmen, në mënyrë që manipuluesit eventual në zgjedhjet e ardhshme mos ta ndijnë vetën komod se mund të luajnë me votat, pa iu nënshtruar përgjegjësisë dhe ballafaqimit me ligjin dhe llogaridhënjen! Ky vend njëherë e përgjithmonë duhet të bëhet si duhet, dhe kjo arrihet vetëm me transparencë totale dhe përgjegjësi ligjore!”, thuhet në publikimin e saj.

Pas ankesave për manipulime me vota, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka urdhëruar rinumërimin e disa vendvotimeve, përfshirë votat që ka marrë AAK-ja.

Pas akuzave brenda AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti, ashtu si edhe nga pozita e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Meliza Haradinaj-Stublla jep dorëheqje nga MPJD dhe AAK