Kandidatja më e re e AAK-së e konfirmon largimin nga lista për deputete

Kandidatja më e re në moshë në listën për deputetë të AAK-së, 19-vjeçarja Diellza Rexhepi, ka hequr dorë nga kandidimi.

Këtë e ka konfirmuar vetë ajo për KALLXO.com.

“Po, jam larguar nga gara për arsye personale. Vendimin ia kam dërgu dje partisë”, tha ajo.

Ndërsa sot, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka paraqitur në Facebookun e tij kandidaten në fjalë.

Haradinaj ka njoftuar se në listën e Aleancës nga Skenderaj janë dy të rinj nga familje atdhetare duke e përmendur kandidaten Rexhepi.

Postimi i plotë i Ramush Haradinaj:

Feriz Shala nga Buroja, bir i invalidit të luftës dhe të burgosurit politik Avni Shala, është student i Psikologjisë, i angazhuar në organizatën rinore të Aleancës që nga fillimi i aktivitetit të tij në politikë.

Më e reja në moshë në listën e kandidatëve të Aleancës, është nëntëmbëdhjetë vjeçarja nga Kopiliqi i Epërm Diellza Rexhepi, bijë e invalidit të luftës Naser Rexhepi. Ajo është laborante e Biologjisë. E përgëzoj për guximin dhe ambicien e saj për të qenë pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ju priftë e mbara!