Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatja e LDK-së zotohet se nuk do të kandidojë më nëse nuk e zgjidhë problemin me ujë në Deçan

Kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hyri Dobrunaj në Debat Pernime ka thënë se nëse nuk e zgjidh problemin e qytetarëve deçanas me ujë të pijshëm, nuk do të kandidojë më për kryetare.

“Ne si LDK kur vijmë në qeverisje pas katër viteve, nëse nuk e realizojmë ujin e pijes për krejt qytetarët e komunës sonë, nuk pranoj me ardhë këtu dhe s’pranoj të kandidoj më, sepse ky problem duhet me qenë i përfunduar. Në Deçan ka 18 vjet që qytetarët votojnë për ujë të pijes, për kanalizim, për rrugë, për ndriçim. Këto janë kërkesa që më nuk bën me i diskutu për neve sepse është me të vërtetë e ulët”, u shpreh ajo.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Deçanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Deçanit, Ardiana Qorraj nga PDK; Bashkim Ramosaj nga AAK; Hyri Dobrunaj nga LDK; Isa Elezaj – kandidat i pavarur; Orges Tafilaj nga LVV.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Deçanit: Arbnora Dervishaj dhe Diana Krasniqi nga PDK; Fatjona Kuqi dhe Fahrije Haklaj nga LDK; Floriana Hulaj dhe Lendita Berisha nga AAK; Teuta Neziraj dhe Rabije Haklaj nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.