Avokati i Popullit
Kandidati për zv/Avokatit të Popullit me bindje kundër të drejtave të njeriut
Lista me emrat e kandidatëve për pozitën e zëvendësit të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë i ka shkuar Kuvendit të Kosovës për votim.
Kjo listë të mërkurën është shqyrtuar edhe në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut.
Në mesin e atyre që synojnë të jenë zëvendës të Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, është edhe Esmir Kasi.
Në të kaluarën Esmir Kasi ka shprehur qëndrime të cilat bien ndesh me pozitën që po e synon.
Këto qëndrime, të shprehura kryesisht në Facebook, Kasi tashmë i ka fshirë nga rrjeti social.
Sipas informatave të KALLXO.com, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka qenë i njoftuar për postimet dhe bindjet e Esmir Kasit.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Qelaj se si një njeri me bindje kundër të drejtave të njeriut propozohet për zëvendës të Avokat të Popullit.
Në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com janë të përfshira edhe dëshmitë e postimeve të Esmir Kasit.
Në një publikim të tijin në Facebook në vitin 2020, Kasi ka folur kundër 8 Marsit si ditë e grave, duke e quajtur atë “festë të manipulimit të motrave tona”.
“Po afron 8 Marsi, festa e manipulimit të motrave tona. Një ditë simbolike për të gjitha feministet në mbarë botën që mbrojnë “lirinë e grave”. Liri që nuk është në përputhje me parimet e besimit tonë”- kishte shkruar ai.
Më pas, ai ka vazhduar duke folur kundër 1 Majit, si ditë e fillimit të pranverës si ritual pagan, siç thotë ai “që ka ekzistuar para se të bëhemi myslimanë dhe si rezultat nuk duhet të festohet dhe është mëkatare”.
Në një postim tjetër Esmir Kasi shprehet kundër “Ditës së krenarisë”, e cila është festë që kremtohet nga komuniteti LGBTI.
“Kur shthurja bëhet krenari, atëherë krenaria bëhet turp. Kur i çorodituri është krenar, atëherë krenari turpërohet”- kishte shkruar ai duke iu referuar kësaj dite.
Avokati i Popullit mohoi të ketë pasur këto informacione, përveç faktit që Kasi ka qenë pjesë e kabinetit të zëvendëskryeministres, Emilija Rexhepi.
“Informatat që ju na ofruat, as unë dhe as Komisioni nuk i kemi pasur, përveç një informacioni se kandidati Esmir Kasi ka qenë pjesë e Kabinetit të Zëvendës Kryeministres Emilija Rexhepi”- thuhet në përgjigjen e tij.
Megjithatë, ai tha për KALLXO.com se do ta informojë zyrtarisht Kuvendin e Kosovës për këto informata.
“Lidhur me informatat që ju na i keni adresuar dhe faktet që i keni bashkangjitur, për të cilat ne nuk kemi pasur njohuri, zyrtarisht do ta njoftojmë Kuvendin e Republikës së Kosovës”- ka shtuar ai.
Tutje, Avokati i Popullit tregoi që Kasi ka deklaruar para Komisionit se nuk është pjesë e asnjë subjekti politik dhe e kabinetit qeveritar, por ka sqaruar se në të kaluarën, në një periudhë tremujore, ka qenë i angazhuar si ekspert i jashtëm në kabinetin e Emilija Rexhepit.
I pyetur se a s’do të duhej të ishte ai filtri i parë që i deklasifikon njerëzit që bien ndesh me të drejtat e njeriut për ta marrë atë post, Qelaj tha se konkursi për përzgjedhjen e një zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë ka paraparë disa filtra për kandidatët, duke filluar nga kriteret ligjore dhe kushtet e kërkuara në konkurs dhe duke vazhduar me procesin e hapur, transparent nga Komisioni 5-anëtarësh i përbërë nga personalitete me integritet të lartë, siç tha ai.
“Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Komisioni ka zhvilluar procedurat e rekrutimit në pajtueshmëri të plotë me Ligjin për Avokatin e Popullit dhe Rregulloren nr. 01/2022 për mënyrën e konkurrimit dhe procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve për zëvendës të Avokatit të Popullit”- shtoi më tutje ai.
Avokati i Popullit tregoi se të gjithë kandidatët janë deklaruar nën betim, përfshirë edhe Kasin, kanë deklaruar që janë të pavarur, nuk janë të përfshirë në politikë, nuk kanë qenë të dënuar për vepra penale ndonjëherë.
Në pyetjet se a është duke ia bërë qejfin Emilija Rexhepit me propozimin e Esmir Kasit dhe nëse ka ndonjë borxh ndaj komunitetit mysliman apo boshnjak që përfaqëson Kasi dhe prandaj po ua bën këtë nder, Qelaj tha se nuk ka lejuar asnjëherë ndërhyrje të tilla në mandatin e tij.
“Lidhur me pyetjet tjera, për situatat hipotetike, theksoj se si Avokat i Popullit, asnjëherë nuk kam pranuar dhe në asnjë rrethanë nuk do të pranoj çfarëdo ndërhyrje, nga kushdo qoftë, në ushtrimin e mandatit tim”- theksoi ai.
Në mbledhjen e të mërkurës të Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore, pikë e rendit të ditës ka qenë edhe shqyrtimi i këtij propozim-vendimi.
Duda Balje, kryetare e këtij Komisioni, tha për KALLXO.com se e ka thirrur këtë mbledhje pasi që ka pranuar e-mailin e KALLXO.com me pyetje dhe informatat për këtë çështje.
Ajo tregoi që aty kanë diskutuar mirëpo Komisioni nuk mund ta ndryshojë listën dhe mbetet të shihet në Kuvend nëse do të votohet nga deputetët.
Mbledhja ka përfunduar, siç tha ajo, me marrjen e informatave dhe secili prej tyre do të vendosë vetë gjatë votimit në Kuvend.
Eliza Hoxha nga Partia Demokratike e Kosovës, që është anëtare e këtij Komisoni, tha për KALLXO.com se ajo dhe disa të tjerë kanë shprehur shqetësimet e tyre për përfshirjen politike të Esmir Kasit, duke iu referuar punës së tij në kabinetin e Emilija Rexhepit si dhe për bindjet e tij.
Procesi i këtij konkursi, Avokati i Popullit tha se është monitoruar nga përfaqësues të organizatave si OSBE, Bashkimi Evropian dhe përfaqësues nga Zyra e Komisionarit për të Drejtat e Medieve.
Alban Bajrami, deputet i pozitës, i cili po ashtu është anëtar i këtij Komisioni, tha se të gjitha informatat që ka pranuar për këtë çështje do t’i marrë parasysh, duke i konsideruar ato shumë të rëndësishme.
Ai tha se Komisioni nuk mund ta largojë nga lista emrin e Kasit, e se kë do ta votojë ai në Kuvend tha se nuk mund ta thotë tani.
KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me anëtarë të tjerë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë qenë të qasshëm.
Komisioni për rekrutimin dhe intervistimin e kandidatëve për zëvendësin e Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë, ka qenë i përbërë nga: Naim Qelaj, Avokat i Popullit dhe kryetar i këtij komisioni, Arta Rama, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Fejzullahu, drejtor i Akademisë së Drejtësisë, Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore dhe Dushan Radakoviq, aktivist për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në listën e kandidatëve përveç Esmir Kasit, që ka fituar 60.8 pikë, janë edhe Sërgjan Sentiq me 89 pikë, Senad Ibishi me 84.4 pikë, Marija Raduloviq me 76.6 pikë, Ardijan Maksuti me 70.4 pikë dhe Admir Rama me 55.8 pikë.
4 zëvendësit e Avokatit të Popullit janë zgjedhur në Kuvend më 14 qershor 2022, ndërsa për pozitën zëvendës i Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, për shkak se asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk ka marrë votat e mjaftueshme, është përsëritur konkursi.
Ky konkurs është shpallur më 26 gusht. Aty kanë aplikuar 7 kandidatë, njëri prej tyre është tërhequr ndërsa 6 të tjerët janë ata që figurojnë në listën përfundimtare të dërguar në Kuvend.