Avokati i Popullit

Kandidati për zëvendës të Avokatit të Popullit - familjar i sekretarit organizativ të Vetëvendosjes

Admir Rama, kandidat për zëvendës të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve joshumicë, është familjar i Alim Ramës, i cili është sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e kësaj partie.

Të dy këta konfirmuan për KALLXO.com që janë nga e njëjta familje, por mohuan që Alim Rama të ketë pasur ndikim në përzgjedhjen e Admir Ramës.

Alim Rama tregoi se Admir Ramën e ka kushëri, mirëpo tha që nuk ka ndikuar asgjë. Madje shtoi që për kandidimin e tij kuptoi pasi u kontaktua nga KALLXO.com

Edhe Admir Rama pohoi lidhjen familjare, por mohoi ndikim e mundshëm të Alim Ramës.

“Unë kam ndjekur rregullat e rekrutimit, kam aplikuar, më kanë thirrur në intervistë me shkrim dhe me gojë, më ka ardhë e-maili që më kanë rekomandu në Kuvend” – tha ai.

Alim Rama është anëtar i KQZ-së që nga shkurti i vitit 2020, ndërsa sekretar organizativ në LVV është zgjedhur rreth një muaj më parë.

Lidhur me kandidimin e Admir Ramës, Eliza Hoxha, anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Barazi Gjinore nga PDK tregoi për KALLXO.com që lidhjen familjare të Ramës e ka ngritur si çështje edhe në një mbledhje të këtij Komisioni, të mbajtur më 1 dhjetor.

KALLXO.com ka raportuar edhe për një kandidat tjetër për zëvendës të Avokatit të Popullit, Esmir Kasi, i cili në të shkuarën e tij ka publikuar në rrjetin social Facebook deklarata që janë kundër të drejtave të njeriut.

Ai po ashtu ka qenë ish këshilltar i Zëvendëskryeministres së Kosovës, Emilija Rexhepi.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka mohuar që ka pasur njohuri më parë për bindjet e Kasit, megjithatë, ai tha për KALLXO.com se do ta informojë zyrtarisht Kuvendin e Kosovës për këto informata.

Lista me emrat e kandidatëve për pozitën e zëvendësit të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë i ka shkuar Kuvendit të Kosovës për votim.