Kandidati për rektor: Këshilli Drejtues nuk na kanë dërguar ftesat për intervistë

Kandidati për rektor të UP-së, Faton Berisha në një intervistë për KALLXO.com ka bërë të ditur se nuk kanë marrë asnjë njoftim nga Këshilli Drejtues i UP-së për shtyrjen e intervistimit.

Berisha po ashtu ka bërë të ditur se nuk ka marrë as ftesë nga KD i UP-së për intervistë.

“Në fakt, formalisht nuk kemi marrë asgjë fare. Kjo është ajo që dimë. Është pritur që Këshilli Drejtues t’u dërgojë ftesa kandidatëve në mënyrë që t’i intervistojë siç ka qenë e paraparë më planin dinamik zgjedhor, por ftesat ende nuk kanë arritur”, ka thënë ai për KALLXO.com

Tutje ai thekson se kjo vonesë po e shqetëson, pasi sipas tij lejon të kuptohet se ka ndikime nga jashtë.

“Unë nuk do të ju them të vërtetën, nëse nuk ju them që s’jam i brengosur për shtyrjen, por shpresoj se Këshilli Drejtues do të përformojë në nivel të vetit dhe që nuk do të lejojë ndikime nga jashtë dhe të gjejë kandidatin që konsideron së është më i miri”, tha Berisha.

KALLXO.com raportoi më herët se është shtyrë intervistimi i kandidatëve për rektor të UP-së.

Këshilli Drejtues është organ vendimmarrës dhe çështja e zgjedhjes së rektorit i takon këtij këshilli.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka hapur konkursin për rektor të këtij Universiteti. Konkursi ishte hapur më 10 korrik dhe ishte mbyllur më 24 korrik.

Për këtë pozitë kishin kandiduar pesë kandidatë, por vetëm tre prej tyre janë dërguar në Këshill Drejtues nga komisioni profesional, i formuar nga senati.

Ky komision i cili ishte në përbërje me kryetar Qerkin Berisha, Kurtesh Sherifi, Liridon Veliu, Qefsere Gjonbalaj dhe Gent Sallauka.

Në bazë të vendimit të komisionit profesional, për këtë pozitë janë propozuar Blerim Rexha, Faton Berisha dhe Naser Sahiti. Ky komisioni ka larguar nga kandidatura Isuf Musliun dhe Zenun Halilin.

Intervistën e plotë të kandidatit për rektor, Faton Berisha mund ta lexoni sot në KALLXO.com