Kandidati për punësim në NPL ‘Prishtina Parking’ nuk ftohet në testim

Komuna e Prishtinës gjatë këtij viti ka filluar projektin “Prishtina Parking”, i cili pritet të bëjë një kategorizim të parkingjeve me pagesë për çdo veturë që hyn në kryeqytet.

Këto parkingje janë të ndara në tre kategori, A, B dhe C, të gjitha me pagesa të ndryshme.

Funksionalizimi i këtij projekti ka filluar në muajin qershor, por në shumë lagje të Prishtinës është ende duke u punuar në to.

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” në javën e parë të muajit korrik ka publikuar emrat e personave të cilët kanë fituar të drejtën të futen në testimin me shkrim për pozita të shumta që janë hapur për funksionalizim të ndërmarrjes.

Në mesin e personave që kanë fituar të drejtën për të hyrë në test është edhe Valdrin Rrahmani në pozitën Inkasant, në të cilën janë kërkuar 10 persona.

 

 

Kurse më 7 gusht është publikuar lista e personave të cilët ka fituar punën në pozitën Inkasant.

Tek kandidati Valdrin Rrahmani është shkruar se ka munguar, por sipas këtij të fundit ai nuk është lajmëruar fare për t’u futur në testim as përmes email as telefonit.

 

 

Valdrin Rrahmani thotë se ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë pozitë dhe dyshon se kjo i është bërë qëllimisht.

Rrahmani për KALLXO.com ka thënë se ka bërë ankesë në komunë dhe në Inspektorat të punës, ku në inspekorat i është thënë që duhet të pres 15 ditë, e nëse nuk i konfirmohet ankesa procesi do kthehet në pikën zero.

Rrahmani ka kërkuar nga komuna që t’i mundësohet të hyj në testim dhe intervistë lidhur me pozitën ku ka aplikuar.

Kallxo.com ka dërguar pyetje në adresë të ndërmarrjes ‘Prishtina Parking’ dhe në Komunë të Prishtinës lidhur me rastin e personit të lartpërmendur por deri në momentin e publikimit nuk kemi marrë ndonjë detaj shtesë.