Kandidati kërkon punësimin e 10% të komuniteteve

Qazim Rahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim thotë se kauza e tij dhe e partisë së tij nëse arrin të bëhet deputet është që ta kërkojë implementimin e ligjit për punësime në institucionet publike nga 10 përqind për komunitetet.

“Nëse arrij të bëhem deputet me vullnetin e qytetarëve të komunitetit ashkali kauzën e parë që do ta shtyja është ndryshimi i ligjit për komunitete dhe realizimi i këtij ligji në veprim të ligjit për aspektin e punësimit 10 përqind komunitet në institucionet publike”, theksoi Rahmani.

Ai ka kërkuar që të ulen taksat për import të veturave në Kosovë.

“Taksat e veturave që importohen në Kosovë duhet të ulen sidomos akciza sepse mendoj se e dëmton tregun e Kosovës, dëmton zhvillimin ekonomik duhet ose të ulet ose të largohet krejt”, tha Rahmani.

Këto janë 3 amendamentet që do t’i kërkojë nëse arrin të bëhet deputet.

“Kisha me kërku që të ketë buxhet të veçantë për komunitet rom, ashkali dhe egjiptas në çdo ministri, mundësi të amendamentit për punësime në institucionet publike  dhe kisha me propozua lehtësira për tatimet që janë për biznese”, potencoi Rahmani.

Rahmani vjen nga Komuna e Ferizajt dhe sipas tij këto janë tri problemet më kryesore të kësaj komune.

“Papunësia, arsimimi dhe shëndetësia”, tha Rahmani i cili ka shtuar se nuk do ta ndërrojë partinë e tij mirëpo do ketë raste kur do të votojë edhe kundër qëndrimit të grupit parlamentar.

Sa i përket ambientit ai tha se do të mundohet të punojë duke i respektuar standardet evropiane që lidhen me ambientin dhe është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr dhe gjithashtu kundër djegies së qymyr në shtëpi gjatë dimrit.

Rahmani është për shitjen e Telekomit të Kosovës, ndërsa u deklarua për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Kundër është deklaruar për shkëmbimin e territoreve me Serbinë e gjithashtu edhe për heqjen e taksës.

Për ndërtimin e hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës ai tha se është për vetëm nëse nuk dëmtohet ambienti dhe mjedisi i Kosovës.

Rahmani u deklarua kundër martesave në mes së gjinisë së njëjtë.

Për u deklarua që të bartet shamia në shkolla nga nxënëset.

Sa u përket të hyrave mujore, Rrahmani tha se mban vetëm pozitën e zëvendës ministrit ku merr pagë 1030 euro ndërsa pasurinë e ka në vlere rreth 200 mijë euro dhe është e përbashkët me familjarët e tij dhe nuk e ka të regjistruar edhe në emër të gruas.

Për Trepçën tha se duhet të mbetet në pronësi të qeverisë së Kosovës.

Votën e tij për buxhetin nëse bëhet deputet tha se do ta kushtëzojë me çështjen e banimit për komunitetin e tij.

“Mendoj për projektin çështjen e infrastrukturës dhe banimit të komunitetit ashkali”, theksoi Rahmani.

Rrahmani nuk u shpreh i gatshëm të japë dorëheqje nëse i ngritet aktakuzë dhe gjithashtu tha se nuk e voton as rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë.

“Nëse e mendoj që aktakuza është veç klan politik eventualisht mendoj që është një kurth politike e pres vendimin përfundimtar të gjykatës”, tha Rahmani.