Kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale të Turqisë e mbështet Erdoganin në rundin e balotazhit
Kandidati i tretë në zgjedhjet presidenciale të Turqisë, Sinan Ogan, ka bërë të ditur se do ta mbështesë kandidatin kryesor Rexhep Tajip Erdogan në rundin e balotazhit që pritet të mbahet më 28 maj të këtij viti.
Ogan, i cili mori 5.17% të votave në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u zhvilluan më 14 maj, deklaroi në një konferencë shtypi në Ankara se ai do ta mbështesë Erdoganin dhe jo kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu.
Erdogan mori 49.52% të votave në raundin e parë, duke i dhënë atij një avantazh prej pesë pikësh ndaj kundërkandidatit kryesor, Kilicdaroglu.
Ogan e kishte kushtëzuar mbështetjen e secilit nga kandidatët me politikat e ngurtësuara ndaj refugjatëve dhe disa grupeve kurde që ai i percepton si terroristë.
“Aleanca Kombëtare nuk ka arritur të na bindë,” tha ai, duke folur për grupin kryesor të opozitës në Turqi, të udhëhequr nga Kilicdaroglu.
Ogan ka thënë se Turqia është në një “kryqësim kritik” dhe përcaktoi katër prioritete që ai tha se duheshin adresuar urgjentisht.
E para është çështja e refugjatëve dhe emigrantëve në Turqi. Së dyti, “kërcënimi urgjent i sigurisë kombëtare” pas tërmeteve të fundit. Së treti, problemet ekonomike “të shkaktuara nga dinamika e brendshme dhe e jashtme që kanë shkaktuar probleme të thella në publik”. Dhe së katërti, lufta kundër terrorizmit në Turqi, për të cilën ai tha se duhet “të adresohet në të gjitha frontet, përfshirë edhe atë financiar”.
“Të gjithë kanë të drejtë të jenë në politikë dhe kjo duhet të garantohet, por shtrirjet politike të grupeve terroriste duhet të pastrohen nga politika turke”, ka deklaruar Ogan.
Përpara raundit të parë të zgjedhjeve, Ogan ishte një politikan i skajshëm, ultranacionalist praktikisht i panjohur jashtë Turqisë. Mirëpo votat që i fitoi mund ta bëjnë atë një lojtar kryesor në raundin e balotazhit.
Në një intervistë me CNN javën e kaluar, Ogan pohoi se “elektorati ynë është shumë i lidhur me ne, sigurisht aty ku kemi nevojë, ata do të vijnë me ne.”/CNN