Kandidati i PDK-së premton se nuk do punësojë familjarë

Kauza të cilën do ta shtyj përpara Fadil Nura si kandidat për deputet nga Komuna e Skenderajt do të jetë zhvillimi ekonomik dhe lufta ndaj korrupsionit dhe nepotizmit.

Nura shpreson se këto kauza do ti shtyj gjatë kohës sa do të jetë deputet, pasi dëshira e tij është që të mos kaloj në ndonjë post tjetër por të qëndroj aty ku do ti përfaqësoj qytetarët.

Tutje, Nura tregon se cilat taksa do të mendonte se duhet të kishin ulje dhe cilat rritje.

“Tani te taksat është me rëndësi që ne të krijojmë mundësi zhvillimit të biznesit, sidomos tek ndërmarrje e vogla dhe të mesme, të krijojmë lehtësia sa më të mëdha në mënyrë që këto biznese  të zhvillohen dhe të gjenerojnë vende të reja punës, pra kryesisht tek taksat që e lehtësojnë zhvillimin e biznesit dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, thotë Nura.

Nura nuk është i sigurt ende se cilat do të jenë tri amendamentet e para që do ti propozoj para Kuvendit të Kosovës, përderisa përmend si shembull Kodin penal të Republikës së Kosovës i cili thotë se është i mirë por është i varfër në shumë fusha.

Si kandidat për deputet nga Komuna e Skenderajt, Nura në intervistën e dhënë për KALLXO.com ka thënë se Komuna e tij ka nevojë për përkrahje në tri fusha.

“Komuna prej nga vijë historikisht ka qenë e anashkaluar historikisht prej mbretërisë serbo- kroate- sllovene, janë zhvilluar luftëra, dhe  njihet si zonë kryengritëse prandaj edhe është mbete do ta quaja si “zorrë qorre” ajo pjesë, ka nevojë shumë për përkrahje në  zhvillimin e infrastrukturës, zhvillimit të bujqësisë dhe industrisë në lëmi të caktuara”, thotë ai.

Nura i pyetur nëse ndonjëherë do ta braktisë Partinë Demokratike të Kosovës është përgjigjur duke thënë se kjo nuk do të ndodhë asnjëherë, ndërsa ka gjasë që ndonjëherë të votoj kundër grupit të tij parlamentar.

Në rast se Nura zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, premton se do të përkrahë personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët me Down Sindrom.

Për çështjen e ambientit dhe ajrit të ndotur në Kosovë, Nura ka premtuar se si ligjvënës do të përpiqet që përmes ndryshimit të legjislacionit të krijojë mundësi që të rregullohet aspekti i ambientit i cili sipas tij është në gjendje jo të mirë.

Duke folur për ambientin, Nura ka folur edhe për ndërtimin e Termocentralit të tretë me qymyr, dhe përdorimin e qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit.

“Në aspektin e ambientit unë jam kundër, nëse analizohet në aspektin e interesit të përgjithshëm ekonomik, jam për. Ndërsa për përdorimin e qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit, jam kundër”, ka thënë Nura.

Nura përveç se është shprehur kundër përdorimit të qymyrit nëpër shtëpi, ka kundërshtuar edhe përdorimin e qeseve të plastikës.

Nura është pyetur edhe për Telekomin e Kosovës, nëse është për apo kundër shitjes së tij.

“Telekomi i Kosovës, nuk kisha me thanë shitje, ndoshta në një formë tjetër të përkrahjes dhe avancimit të këtij institucionit, dhe shitjen ndoshta një analizë, dhe një interes i zhvillimit të Telekomit e kisha përkrahë nëse ai arsyetohet mirë që para së gjithash asnjë punëtor të mos largohet nga puna dhe të shihet një perspektivë për Telekomin”, ka thënë ai.

Për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, Nura ka thënë se nuk është kundër, dhe nuk do të jetë asnjëherë ndërtimit të rrugëve, por kjo me një kusht, që të analizohet kosto dhe interesi për tu zhvilluar infrastruktura.

Për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, Nura është shprehur se është kundër, ndërsa kur është pyetur rreth taksës nuk kishte një përgjigje definitive pasi që sipas tij këtë çështje që duhet analizuar së bashku me partnerët strategjik, dhe të merret një vendim, duke shtuar se ndoshta do të duhej të bëhej pezullim i përkohshëm i taksës.

Në intervistën e dhënë për KALLXO.com, Nura ka thënë se është pro ndërtimit të hidrocentraleve, vetëm aty ku nuk degradohet natyra.

Mbyllja e universiteteve publike nëpër komuna nëse nuk akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit është temë për të cilën Nura është pro, pasi sipas tij të gjitha universitetet ku nuk ka cilësi duhet të mbyllen, ndërsa është shprehur kundër monopolit në homologim.

Temë diskutimi në vendin tonë është bërë edhe martesa në mes gjinive të njëjta, për të cilën ka dhënë mendimin e tij edhe kandidati për deputet, përderisa ka përkrahur bartjen e shamive në shkolla.

“Unë jam kundër, ne jemi një komunitet 90% mysliman në aspektin fetar kjo kundërshtohet fuqishëm prej të gjitha feve, por në parim jam kundër”, ka thënë për martesën mes gjinive të njëjta.

Në lidhje me kuotën për deputetë nga diaspora, Nura është përgjigjur për, ndërsa shtoi se është për ri- dizajnimin e skemës për veteranët e luftës si dhe heqjen e kartonit të gjelbër për diasporën.

Në garën e tij për deputet, fushatën që do ta zhvillojë deri në ditën e zgjedhjeve, Nura ka thënë se është duke e financuar kryesisht vetë dhe familja e tij.

Nura ka premtuar se gjithmonë do të mbaj një vend të punës, ashtu siç e ka edhe tani, nga e cila ka bërë të ditur se merr një pagë si zëvendësministër, ndërsa kur është pyetur për pasurinë e tij Nura tregon se të gjithën e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Gjithë pasurinë që e posedon, Nura ka bërë të ditur se e ka në emër të përbashkët me gruan e tij.

Deri më tani, Nura ka thënë se në rastet kur është sëmurë, gjithmonë është trajtuar në spitale publike, dhe se këtë do të vazhdoj ta bëjë edhe në rast se merr postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës.

“Në publik, vetëm nëse nuk ka ofrim të shërbimeve në publik atëherë duhet me gjet zgjidhje”, ka thënë ai.

Nura tregon se njëri nga fëmijët e tij shkollohet në shkollë publike, ndërsa tjetri në shkollë private, ndërsa tregon nëse do të punësoj familjarët e tij në qoftë se merr mandatin si deputet.

“Kam shumë familjar të pa punësuar, por kam edhe të punësuar, bashkëshorten e kam të punësuar është profesoreshë, një vëlla e kam në punë, edhe ai është si trajner në një shkollë profesionale, një vëlla tjetër është veteran i pa punë, 50- 50 jemi. Jo, nëse e kanë mundësin me u punësu diku është e mirëseardhur përndryshe jo me ushtru ndikim, ose çfarëdo forme që mund të keqkuptohet”, ka thënë Nura.

Kur është pyetur për fatin Trepçës, Nura nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse është për apo kundër privatizimit.

“As nuk jam me mbete nën qeverisjen shtetërore as me u privatizu, me gjet një formë të shoqërisë aksionare”, ka thënë ai.

Në rast se zgjidhet deputet i Kuvendi të Kosovës, Fadil Nura ka premtuar se votën e tij për buxhet do ta kushtëzoj me projektet kapitale që janë të rëndësishme për qytetarët e zonës së Skenderajt, përderisa premton se do të jetë zë i fuqishëm dhe adresë e drejtpërdrejtë e qytetarëve.

Pasi që Kuvendi i Kosovës në seanca të ndryshme jep hapësirë për pyetje parlamentare, në lidhje me këtë rast Fadil Nura nuk tregon numër të tyre se sa do të parashtroj brenda një viti. Gjithashtu ai thotë se takimet e qytetarë do të bëjë aq sa është e nevojshme.

Për importimin e makinave të vjetra në Kosovë, Nura ka thënë se makinat sa më të reja do të duhet të importoheshin në Kosovë.

Në rast se ndaj Nurës ngitet aktakuzë, ai ka premtuar dorëheqje të menjëhershme, duke thënë se do ta votoj edhe rrëzimin e qeverisë në rast se ndaj kryeministrit ngritët aktakuzë.

Nura nuk ka dhënë një përgjigje konkrete nëse do të votonte një qeveri me mbi 115 ministri, por është përgjigjur konkretisht se sa zëvendësministra duhet ti ketë një ministri.

“Një, përjashtim tek ministrisë që janë më të mëdha dhe ofrojnë shërbime më shumë për qytetar, eventualisht i dyti”, ka thënë Nura.

Nura në intervistën e dhënë ka premtuar se nuk do të votoj për anëtarësim në ndërmarrje publike persona që nuk plotësojnë kushtet për emërim, përderisa ka thënë se do të bëjë transparente dhe fondet e partisë edhe faturat e shpenzimeve.