Foto; Bedri Hamza në Facebook.
Kandidati i PDK-së për kryeministër në takime zyrtare në SHBA
Bedri Hamza, kryetari i Mitrovicës të Jugut, njëherësh kandidat i propozuar për kryeministër nga PDK-ja, gjatë vizitës së tij në SHBA është takuar me asistentin special të presidentit Joe Biden, Michael Carpenter si dhe me drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), Kathleen Larkin.
Carpenter është drejtor i lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK).
“Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”- ka shkruar Hamza në Facebook më 08.08.2024.
Hamza tha se me dy zyrtarët amerikanë kanë folur gjerësisht për qëllime strategjike.
“Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve”- shtoi Hamza.
Hamza tha se me ta u pajtuan që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE.
“Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm”- ka thënë Hamza.
Në zgjedhjet e vitit 2021, Bedri Hamza kishte fituar Mitrovicën në rundin e parë të zgjedhjeve lokale me rreth 54% të votave, kështu që pas tetë viteve ky qytet nuk është udhëhiqur më nga Agim Bahtiri.
Hamza ka qenë deputet i PDK-së për tri mandate, zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave (2008), ministër i Financave dy herë dhe Guvernator i BQK-së nga viti 2013 deri në 2017.